Vazhdon masakra në lumin Mat: Ish-deputeti socialist zapton 22 km të shtratit, por ministria e Mjedisit hesht!

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Duket se çështje më të rëndësishme pë qeverinë kanë bërë që mjedisi të kalojë në një temë të dorës së dytë, që jo vetëm nuk po merr vëmendjen që i takon, por po shfrytëzohet pa kriter.

Disa ditë më parë u publikuan disa pamje nga lumi Mat, në shtratin e të cilit, kompania “Salillari” po kryen punime, ku shihen kamionët dhe ekskavatorët e kompanisë Salillari.

Gërryerja në shtratin e këtij lumi për të marrë rërë dhe zhavor ka bërë që rrjedha e tij të devijohet, duke shkaktuar edhe eriozion në tokat bujqësore të banorëve të kësaj zone, duke sjellë sërish rrezikun e përmbytjeve në dimër.

Teksa, qeveria iu bën thirrje shqiptarëve të qëndrojnë brenda duke shmangur grumbullimet e shumta, shumë kompani po ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa kriter në terren, duke shmangur edhe protestat e qytetarëve.

LEXO: Premtimet në raport të kundërt me realitetin! Salillari dhe Gjikuria ‘gllabërojnë’ malet e lumenjtë 

Mirëpo, masakra mbi lumin Mat vijon e këtë herë po kontribuon edhe Ndue Kola, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Janë rreth 15 skrepa të firmës “A.N.K.” dhe firmës “Bardhi Konstruksion”, që kanë shqyer e po vazhdojnë të shqyejnë 22 kilometër shtrat të lumit Mat, në 6 zona me 12 qëndra nxjerrje zhavorr e rërë.

Kompania nuk është e pajisur as me leje shfrytëzimi e as me leje mjedisore, teksa Ligji nr. 111 datë 15.11.2012, ndalon shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve për 30 vite.

Volumet që janë shkulur nga lumi Mat, janë më të larta se kodrinat e zonës Fan-Rubik-Milot-Shënkoll, madje buzë rrugës kryesore, ka krijuar disa varg-male në afro 4 kilometër gjatësi, 1 kilometër gjerësi e 20-30 metër lartësi.

Sipas Komitetit të Baseneve Ujore, Drejtorisë së Baseneve të lumit Mat me qëndër në Lezhë dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit që prej 3 janarit 2014; në Shqipëri nuk është dhënë asnjë leje, për nxjerrje inertesh në shtretërit e lumenjve.

Madje, janë revokuar edhe 1139 lejet, që ishin dhënë me afat deri më 31 dhjetor 2021; ku firma e Ndue Kola kishte 37 leje nga lumi Tapizë-Tiranë, në lumin Ishëm, lumin Zezë në Fushë Krujë e deri në Klos-Burrel.

Pyetja që lind në këtë rast është se kur ligji e ndalon një veprim të tillë, si është mundur që Ndue Kola, vazhdon gërryen dhe shkatërron shtratin e lumit Mat?

A ka ai një leje për të kryer një veprimtari të tillë dhe nëse po ku e ka marrë, kur prej 3 janarit 2014, nuk është dhënë asnjë leje dhe nuk ka asnjë leje të vjetër në fuqi; sepse janë revokuar me Ligjin Ligjin nr. 111, datë 15.11.2012?

Shpërndaje
Share.

Komento