Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Berat.
Një 4-vjeçar u raportua se humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
Edhe pse familjarët e dërguan me urgjencë në spital, vogëlushi nuk ia ka dalë dot të mbijetojë.
Vogëlushi ka qenë në parkun e qytetit dhe ka prekur disa fije të zhveshura të një ndriçiuesi të vendosur nga Bashkia e këtij qyteti.
Xhami i dritave ishte thyer dhe Bashkia nuk kishte marrë asnjë masë, duke rrezikuar jetën e shumë fëmijëve që luajnë në park.
Nëna e vogëlushit, Reshide Brahimasi ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur pasi djalin e saj e kishte kapur korenti teksa kishte vajtur për të marrë ujë.
Sipas saj fëmija ka qenë i veshur me sandale dhe jo me atlete.
Më tej ajo shprehet që bashkia të mbajë përgjegjësi për vdekjen e djalit të saj edhe pse ata janë nga komuniteti rom.
Ajo që të trishton më shumë është fakti se familja e vogëlushit nuk kanë as lekë për ta varrosur.
“Më tha një 10 vjeçar, shok i tij që loz me të. Unë e çova në spital me një vajzë, kishte një benz të parkuar.
E kapi korenti se vajti për të marrë ujë.
Këta që mbajnë përgjegjësi për mirëmbajtjen marrin rrogën kot dhe asgjë nuk bëjnë. Po ta kisha fëmijën me atlete, do e kisha lënë. Po e kisha me sandale, e thashë mos i lagen këmbët.
E kapi korenti te llamba. Unë isha te kafeneja, ai vajti për të pirë ujë e për të lypur.
Aty e kapi korenti dhe e gjeta të vdekur djalin. Bashkia duhet të përgjigjet për fëmijën tim, të marrë masa për ata korente.
Nuk më kanë dhënë asgjë, as miell, asgjë. Me ca do i ushqeja kalamajt?
Ndihmë nga Bashkia, me çfarë ta varros unë, kam lekë unë. Ta varrosë shteti dhe të përgjigjet Bashkia që më ka vrárë fëmijën tim”, tha nëna e dëshpëruar, Reshide Brahimasi.