Kryeministri Edi Rama në një mbledhje online të disa ditëve më parë, prezantoi programin e rindërtimit për Krujën, i cili konsiston në prishjen e shtëpive në lagjen “Subash”, një nga më të vjetrat e qytetit.
Nëpërmjet masterplanit, qeveria synon që të prekë edhe shtëpitë shekullore në këtë lagje, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Lajmi i komunikuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook, alarmoi banorët e kësaj lagjeje, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga ky projekt.
Banorët ditën e sotme janë mbledhur përpara Bashkisë së Krujës dhe kërkojnë që të takohen me zyrtarë të këtij institucioni, për t’i dhënë shpjegime në lidhje me këtë projekt dhe arsyet e prishjes.
Gazetareforma.com komunikoi me Fatjon Subashin, njërin prej banorëve të kësaj lagjeje, i cili bëri me dije se nuk janë mbledhur për protestë përpara bashkisë, por kërkojnë një takim për t’u sqaruar në lidhje me projektin.
Ai bën me dije se qytetarët janë mbledhur që prej orës 11:00 përara bashkisë dhe asnjë zyrtar nuk ka dalë për t’i takuar.
Më tej Subashi tregon, se banorët kanë bërë kërkesë për t’u takuar me kryetarin e bashkisë, prefektin dhe deputeten e zonës, por deri më tani askush nuk u është përgjigjur.
“Kemi ardhur në mënyrë paqësore, jo për protestë, duam thjeshtë të takohemi me zyrtarë të bashkisë. Kemi bërë kërkesë për takim me kryetarin e bashkise, prefektin, deputetin e zonës dhe deri tani asnjë nuk ka dalë që të na presi”, tha ai.
Më tej qytetari shprehet se banesat në këtë zonë nuk janë dëmtuar nga tërmeti dhe nuk ka arsye pse të prishen.
“Shtëpitë nuk janë dëmtu nga tërmeti fare dhe s’ka pse të preken”, tha Subashi.
Fatjon Subashi ka thënë gjithashtu për Gazetareforma.com, se në rrugë jo zyrtare, mësuan se masterplani përfshin rreth 20 banesa, 2 prej të cilave shtëpitë muze.
“Ky projekt nuk përfshin vetëm banesat e familjes sonë, por edhe banesat që ndodhen poshtë lagjes sonë. Masterplani është shumë herë më i gjerë . Numri i banesave në total është diku tek 20, teksa 17 janë vetëm në truallin e familjes Subashi. Dy prej këtyre shtëpivë, përkatësisht shtëpia e gjyshes dhe xhaxhait tim janë të shpallura monument kulture. U bënë shumë ditë që duam të marrim nga bashkia një dokument zyrtar se si qëndron problemi , sepse jemi informuar vetëm nga interneti. Pasi kontrolluam VKM –në , pamë se ky vendim ishte miratuar me miratim të Këshillit të Ministrave, me firmë të kryeministrit. Por, ne e kapëm rastësisht në kohë problemin dhe po interesohemi por askush s’na jep informacione rreth saj”, u shpreh Subashi.
Kujtojmë këtu, se banorët jetojnë në këtë lagje prej më shumë se 500 vjetësh dhe banesat e tyre janë shtëpi muze.
Prishja e këtyre banesave cënon jo vetëm të drejtën themelore të pronës, por i jep gjithashtu një goditje të rëndë vlerave historike dhe trashëgimisë tonë kulturore.