Skip to content
Të Gjitha

I dhuroi 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse Shqipërisë, presidenti Meta falenderon Hungarinë

· 2 min lexim

Ditën e sotme Hungaria i dhuroi Shqipërisë 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore.

Ky veprim është përshëndetur nga presidenti Ilir Meta, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka falenderuar autoritetet hungareze.

“Mirënjohje Hungarisë mike dhe aleate të përhershme të shqiptarëve, për solidaritetin dhe ndihmën bujare konkrete që i dha sot vendit tonë në mbështetje të luftës kundër COVID-19, duke na dhuruar 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore. Falenderoj Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, z.Péter Szijjártó që shprehu sot nga Tirana vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht kundër pandemisë, kësaj të keqeje të përbashkët.”, shprehet Meta në një postim në Facebook.

Maskat u dhuruan gjatë një takimi mes ministrit të Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe homologut shqiptar, Gent Cakaj.

Bilanci i COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 539, në mesin e të cilëve 26 viktima.

Gjatë 24 orëve të fundit ndërkohë, janë zhvilluar 253 teste, ku u konfirmuan 21 raste të reja.

Numri i të shëruarve ka shkuar në 283, pasi janë shtuar dhe 6 të tjerë në orët e fundit.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar, 7 prej tyre në terapi intensive.

Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar, 4 në reanimacion të intubuar, ndërsa 4 prej tyre ndodhen në pavion.