Ka shkuar në 181 numri i të shëruarve nga COVID-19 në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 17 persona të tjerë.
Ata pritet që të lënë Infektivin dhe do të karantinohen në shtëpi për 14 ditë.
Ndërkohë numri i të vdekurve ka shkuar në 23, ku gjatë pasdites së djeshme, ndërroi jetë një 72-vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S.
E moshuara ishte në terapi intensive prej ditësh, ndërsa dje ajo u intubua, por nuk mundi të mbijetojë.
Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 52 të shtruar, 4 prej të cilëve në terapi intensive.
Ndërsa tek “Shefqet Ndroqi” janë shtuar 6 pacientë të tjerë, 5 prej të cilëve në terapi intensive, ku 4 janë intubuar.
Ekspertët kanë paralajmëruar se kurba e COVID-19 këtë javë do të luhatet dhe rastet do të ulen, por kjo nuk do të thotë se duhet të ulim vigjilencën.