Mbrëmjen e sotme mjeku Pëllumb Pipero është i ftuar në ‘Opinion’, ku aktualisht po u përgjiet pyetjeve të qytetarëve.
Ndër të tjera, mjeku ka këshilluar të gjithë qytetarët shqiptarë që t’ua bëjnë vaksinat fëmijëve të tyre edhe në këtë periudhë, kur në Shqipëri ka mbërritur COVID-19.
“Unë mendoj se duhen bërë vaksinat. I inkurajoj qytetarët që t’ua bëjnë vaksinat fëmijëve.”
Pipero tha se në eksperiencën e tij 38-vjeçare nuk kam parë kurrë një virus si ky, teksa bëri me dije se në javën e parë të prillit do të merren përgjigjet e para se sa të efektshme kanë rezultuar masat e ndërmarra nga qeveria dhe sa janë zbatuar ato nga qytetarët.
Ndërsa sa i përket lajmit të mediave italiane se koronavirusi mund të jetë shfaqur në fillim të janarit në Lombardi, Pipero e lidhi këtë me agresivitetin e virusit AH1N1 (gripi i derrit) në këtë sezon.
“Është shumë e vështirë të japim mendime të sakta. Kemi patur qarkullimin i gripit stinor, AH1N1 ka qenë më agresiv këtë vit, nëse studimi është bërë nga shkecëtarë të epidemologjisë nuk kam cfarë të komentoj. Të dhëna të sakta për vendin tonë nuk kemi. Unë e lidh me AH1N1”, tha Pipero.
Lidhur me rritjen masive të rasteve të infektuara në Itali dhe në Spanjë, mjeku dha tre arsye:
“Në qoftë se unë sjell në vëmendjen e përbashkët me atë që ka ndodhur në Itali dhe Spanjë unë e lidh me qarkullimin e shumtë në metro dhe me një shkujdesje të madhe nga qytetarët dhe me qeveritë që nuk kanë marrë masa në kohë”, tha mjeku.
I pyetur rreth gjendjes së mjekëve në Spitalin Infektin, Pipero tha se gjendja është shumë e rënduar dhe se mjekët kanë shumë përgjegjësi, teksa tha se nuk mendon se në vendin tonë do ketë vdekshmëri të lartë nëse tregojmë kujdes dhe nëse gjurmohen sa më shumë raste kontakti.
Tashmë ka shkuar në 176 numri i të prekurve nga koronavirusi, teksa vetëm dje janë shënuar 28 raste të reja nga 103 testime, rritja më e madhe që nga fillimi i epidemies në vendin tonë.
Hartës së qyteteve të prekura tashmë i është shtuar edhe Tropoja, ku janë shënuar 2 raste, ndërsa në Spitalin Infektiv janë shtruar 73 persona, tre prej të cilëve në terapi intensive, ku dy prej tyre janë intubuar.
Në mesin e të prekurve janë edhe 4 fëmijë, gjendja e të cilëve është e stabilizuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 102 raste
– Durrës 10 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Fier 18 raste
– Kavajë 4 raste
– Korçë 11 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkoder 5 raste
– Lezhë 4 raste
– Berat 1 raste
– Has 2 raste
– Krujë 1 raste
-Tropojë 2 raste