Në vijim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, u ka kërkuar të gjithë subjekteve tregtare të fruta-perimeve, që të mbulojnë produktet me plastmas të tejdukshëm.
Në këtë mënyrë sipas AKU, do të shmanget kontakti me spërklat e mundshme gjatë të folurës apo tështitjes së personave.
Njëkohësisht shitësit dhe konsumatorët, nuk duhet ta prekin produktin me dorë, por me doreza njëpërdorimëshe, ose qeset që shërbejnë për mbajtjen e produktit.
Njoftimi i AKU
🔴Beteja për të ndalur dhe mposhtur përhapjen e mëtejshme të COVID-19, nuk do të ndalet deri në fitoren finale të saj.
🔴Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kërkon në mënyrë rigoroze zbatimin dhe forcimin e masave për ndalimin e përhapjes së Koronavirusit.
🔴Së fundmi AKU i’u bën thirrje të gjithë subjekteve që tregtojnë fruta-perime të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme këto masa:
📌 Të gjitha produktet fruta-perime duhet të jenë të mbuluara me qese plasmasi të tejdukshme në mënyrë që të shmanget kontakti me spërklat e mundshme gjatë të folurës apo tështitjes së personave,
📌 Të gjithë shitësit por edhe konsumatorët të shmangin prekjen e drejtpërdrejtë me dorë të produktit. Zgjedhja dhe blerja e tyre do të bëhet vetëm nëpërmjet dorashkave njëpërdorimshe ose qeseve që shërbejnë për mbajtjen e produktit.
🔴Theksojmë se këto masa vijnë si rrjedhojë dhe nevojë e forcimit të mëtejshëm të masave të mëparshme të ndërmarra nga AKU, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë konsumatorëve.
🔴Frikë Aspak, Kujdes Po
Numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 123.
Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 19 raste të reja nga 74 teste të kryera.
Harta e të prekurve është zgjeruar në Lezhë, Has dhe Berat, ndërsa në disa qytete është dyfishuar numri i të prekurve.
Për momentin në spitalin infektiv ndodhen 79 pacientë, 2 prej tyre në gjendje më të rëndë.
Pjesa tjetër ndodhen në pavion, në gjendje të stabilizuar shëndetësore.