Pas Tiranës, edhe në Durrës është ndërprerë shërbimi i transportit publik
Bashkia e Durrësit ka njoftuar, se që prej ditës së sotme, transporti publik do të pezullohet, deri në një afat të pacaktuar.
Njoftimi i Bashkisë së Durrësit:
Bashkia Durrës
NJOFTIM I RËNDËSISHËM
Në vijim të masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID 19, Bashkia Durrës njofton qytetarët se prej datës 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.
Prej orës 08.00 të datës 12 mars, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:
– Shërbimi i transportit qytetas -linjat brenda qytetit të Durrësit
– Shërbimi i transportit rrethqytetas, -linjat që lidhin qytetin me njësitë administrative ish-komuna
– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes -linjat që lidhin bashkinë Durrës me bashkinë e Krujës dhe bashkinë e Shijakut
Bashkia Durrës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për pezullimin e përkohshëm të shërbimit të transportit publik, si një masë të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e COVID 19.
Që prej ditës së djeshme, me urdhër të qeverisë, në terren ka dalë ushtria, për të kontrolluar të gjithë ata që thyejnë rregullat e vetëkarantinimit.
Në 5 orë, ushtria ka evidentuar 100 persona, të cilët nuk kanë zbatuar urdhërin e qeverisë.
Kujtojmë këtu se në Durrës u shënua viktima e parë nga koronavirusi.
Ajo ishte një 73-vjeçare, e cila kishte ardhur nga Italia më 1 mars, por nuk u kishte treguar asgjë punonjësve të spitalit.
E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike, të cilat i shkaktuan edhe vdekjen.
Ndërkohë numri i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 15.
Qeveria ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke filluar nga mbyllja e lokaleve, anulimi i aktiviteteve, ndërprerja e transportit publik.
Gjithashtu kryeministri Edi Rama paralajmëroi ata që erdhën ditën e djeshme nga Italia, se do të gjobiten me 5 mijë euro, nëse nuk vetëkarantinohen.