Specialistja e ISHP-së, Silva Bino, në një deklaratë për mediat bëri publike të dhënat më të fundit përsa i përket koronavirusit.
Bino u shpreh se po zgjerohet masa e personave që testohen, ndërsa deri më tani 58 rastet e dyshuara kanë dalë negative.
Ajo shtoi se po testohen vetëm personat që kanë histori udhëtimi dhe probleme respiratore.
Bino përsëriti edhe njëherë këshillat për higjienën personale, ndërsa këshilloi sërish personat e ardhur nga Italia dhe Kina, që të vetëkarantinohen.
Specialistja e ISHP tha ndër të tjera, se trendi i gripit sezonal është në ulje dhe sistemi ka qenë i mbingarkuar.
Në lidhje me COVID-19 ajo theksoi, se po përdoren të njëjtat sisteme si për gripin normal.
“Po testojmë vetëm personat të cilët kanë histori udhëtimi, dhe shenja respiratore. Po hetojmë dhe raste që kanë shenja respiratorë akute, që kërkojnë hospitalizim. Ky është një zgjerim dhe nuk ka lidhje me ndonjë udhëtim. Ky është një zgjerim i personave që do të testojmë. Në mënyrë që të rrisim gamën e personave që të gjurmojmë dhe kontaktet. Rastet e testuara kanë qenë 60 % nga Tirana, nga Durrësi, Nga Vlora, Fieri, Shkodra, Elbasani e Lushnja. Kemi një shpërndarje në Shqipëri, në varësi të udhëtarëve e që janë testuar. Pjesa tjetër e tyre janë këshilluar dhe iu është ofruar testimi kur është parë e arsyeshme. Në lidhje me diagnozën, ne vazhdojmë të kemi kapacitetet tona në laboratorin e ISHP-së ku kryhen ekzaminimet e nevojshme. Nuk kemi pasur monstra pozitive. Kemi shtuar numrin e tyre. Janë identifikuar se çfarë duhet bërë më tej. Ne kemi përcaktuar dhe llojin e karantinës. Larja e duarve me sapun është gjë e mirë pasi menjëherë largon virusin. Larja e dhëmbëve. Ne kemi këshilluar të gjithë ata persona që kanë ardhur nga Italia, apo vendet e tjera të prekura, si Kina, të cilët mos të lëvizin nga shtëpia, të vetëkarantohen. Kemi 155 respiratorë në spitalet publike, 17 në ato private. Por, më shumë rëndësi ka koordinimi sipas nevojës që do të kenë pacientët. Duhet ta kalojmë këtë pjesën e gripit, në mënyrë që sistemi të mos mbingarkohet më tepër. Jemi në periudhë sezoni të gripit, kemi një trend në ulje. Në lidhje me COVID ne përdorim të njëjtat sisteme si për gripin, se janë të ngjashme. Njerëzit nuk duhet të grumbullohen pranë spitaleve, sepse mund të bëhen burim infeksioni. Njerëzit duhet të shkojnë te mjeku i familjes.”, tha Bino.