Ditën e sotme ambulancat u shfaqën sërish në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, pasi një nxënëse nuk u ndie mirë.
Prindërit të shqetësuar u afruan pranë ambjenteve të shkollës, nga frika se mos përsëritej helmimi i një dite më parë nga spraji i piperit.
Në mes të kaosit të krijuar, drejtoresha e zyrës arsimore të Fierit, Yllka Beci, tha se vajzës i kishin rënë të fikët ngaqë ishte shtatzënë.
Në një komunikim me emsionin “Shqipëria Live”, drejtoresha tha se termi vajzë është përdorur për një mësuese.
Më tej ajo shton se prindërit e nxënësve kanë ushtruar një presion të madh ndaj saj.
Beci vijoi më tej duke thënë se ky komunikim ishte mes saj dhe mediave, ndërsa sqaron se i është referuar mësueses.
Përsa i përket vajzës që nuk u ndje mirë, ajo tha se mund ta ketë pasur nga e pangrëna dhe pas kujdesit mjekësor është në gjendje të mirë.
“Duke qenë në mbledhje në drejtorinë e shkollës, kemi dalë të shqetësuar, ne grupi i punës se dëgjuam një sirenë ambulance. Duke mos e ditur se çfarë po ndodhte, jam përballur me një numër të madh prindërish, të cilët debatonin me forcë duke futur duart nga kangjellat e portës me rojen. Më kanë prekur pjesën e lirisë sime duke bërtitur me akuza krejt të stisura. Unë bëj me dije që është një komunikim jo deklaratë, në një presion të madh të ushtruar nga mua nga prindërit dhe gazetarët, kur kam dashur të them, të qetësoj, të përcillja një qetësi te gazetarët për një proces mësimor shumë i qetë, në këtë moment duke mos patur asnjë informacion; ishte një ndërhyrje shumë e shpejtë e personave që ishin të porta, s’kishte asnjë lloj informacion nga asnjë mësues që kishte nxënës me problem, mendova mos ishte çështja e mësueses shtatzënë, s’ka asnjë problem me nxënësit. I jam referuar mësueses. Unë u jam drejtuar gazetarëve dujke u thënë se duhet të kuptoni që ky panik që po përcillni nuk ka lidhje me rast tjetër, duhet të jetë me mesuesen. Mësuesja shtatzënë është okay, s’ka asnjë lloj problematike, është përdorur nga mediat… dikush e mori nxënësja, dikush e mori mesuesja, se unë kam përdorur vajza. Isha duke iu drejtuar gazetarëve që s’ka lidhje me nxënësit, ambulanca mund të ketë ardhur për mësuesen shtatzënë. Aty vërtet u jam drejtuar gazetarëve, nuk mund të dilja para mediave me një deklaratë të tillë, që një mësuese shtatzënë s’po ndihet mirë. Një nxënëse, një vajzë e klasës së 11-të ka patur disa shqetësime shëndetësore, ishte këputur, s’kishte ngrënë mëngjes ndoshta, s’ka lidhje me rastin e djeshëm, kishte këputje të moshës, problematika shëndetësore që ka një vajzë në atë moshë. Vajza ka shkuar në spital, ka marrë një ndihmë të shpejtë mjekësore, është shumë mirë, ka deklaruar qa kisha problemet e mira shëndetësore.”