Që nga fundi i dhjetorit e deri tani e gjithë bota ka një kryefjalë: COVID-19.
Ndonëse herë pas here duket sikur situata është përmirësuar, numri i viktimave dhe i të infektuarve vijon të rritet dhe momentalisht numërohen 3,249 viktima dhe mbi 95 mijë të infektuar.
Në vatrën e virusit, Kinë, situata është përmirësuar, teksa vëmendja tashmë është drejtuar nga Europa ku Italia është paralizuar nga Coronavirusi prej ditësh.
Numri i të vdekurve ka shkuar në 107 , ndërsa janë infektuar 3089 persona: nga të cilët 587 janë konfirmuar brenda 24 orëve.
Megjithatë, ka edhe persona që janë shëruar dhe sipas autoriteteve në Itali, 276 pacientë kanë marrë veten duke mposhtur Coronavirusin, ndërkohë përqindja e vdekshmërisë në krahasim me numrin e të prekurve përllogaritet të jetë 3.4%.
Gjithsej, janë prekur 19 rajone dhe i vetmi ku nuk janë shënuar të infektuar deri më tani është Lugina e Aostas.
Këtu është numri i të infektuarve (gjithsej) në rajone individuale:
1820 në Lombardi (+300 krahasuar me të Martën)
544 në Emilia-Romagna (+124 krahasuar me të Martën)
360 në Veneto (+53)
82 në Piemonte (+26)
84 në Marche (+23)
31 në Campania (+1)
26 në Liguria (+2)
38 në Toscana (+19)
30 në Lazio (+16)
18 në Friuli-Venezia Giulia (+5)
18 në Siçili (+11)
9 në Puglia (+3)
7 në Abruzzo (+1)
5 në provincën autonome të Trentos (+1)
3 në Molise
9 në Umbria (+1)
1 në Provincën Autonome të Bolzano
1 në Kalabri
2 në Sardenjë (+1)
1 në Basilicata
Ndërkohë, virusi po përparon edhe në Britaninë e Madhe, ku janë shënuar 85 të infektuar, 34 prej të cilëve janë regjistruar ditën e sotme.
Autoritetet kanë pohuar se virusi po përhapet në mënyrë masive në ishull, ku janë 80 të infektuar brenda Anglisë, tre në Skoci, një në Uells dhe një në Irlandën Veriore.
Kurse Arabia Saudite ka ndaluar përkohshësisht për vendasit dhe banorët që të kryejnë Umren për shkak të frikës nga virusi, teksa më 27 shkurt, Arabia Saudite pezulloi hyrjen e pelegrinëve që kërkonin të kryenin Umren për shkak të sëmundjes.
Situata është përkeqësuar edhe në SHBA, ku bëhet me dije se qyeteti i Los Angeles ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore, pasi numri i rasteve u rrit duke e çuar numrin e të infektuarve në shtatë, ndërsa në Kaliforni janë infektuar më shumë se 50 njerëz.
Në Greqi numri i të infektuarve ka shkuar në 9 dhe sipas autoriteteve greke, të nëntë të prekurit me virusin vdekjeprurës ndodhen në Patra.
Ditën e djeshme Organizata Botërore e Shëndetit njoftoi se shkalla e vdekshmërisë globale nga Coronavirus ishte 3.4%.
Zyrtarët e OBSH thonë se ata kanë mësuar se Coronavirusi është më pak i transmetueshëm se gripi, i cili shpesh përhapet nga njerëz të infektuar që akoma nuk kanë simptoma.
Ndërkohë, vendi ynë vijon të qëndrojë i paprekur nga virusi që po tmerron botën, ku ndonëse ka patur 41 rastë të dyshuara, të gjithë kanë rezultuar negativ.