Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar aksionin me tre emra të tjerë të botës së krimit.
Bëhet fjalë për Jani Alian, Florenc Tresën dhe Katan Bahojën.
Gjykata e Përmetit ka vendosur “Arrest me burg” për Jani Alian, për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”.
Njëkohësisht Gjykata e Tiranës e ka dënuar me burgim të përjetshëm për “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Vrasja më e bujshme që rëndon mbi Alian dhe grupin e tij kriminal, është ekzekutimi i Elton Çiços më 1 maj të 2016-ës.
Katan Bahoja ndërkohë është arrestuar nga autoritetet greke për “Trafik të lëndëve narkotike”.
Personi i tretë nën hetim është Florenc Tresa, i akuzuar për trafikimin e 8 tonëve drogë, e cila u kap nga policia e Napolit.
Për të Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Brenda 48 orëve, të tre personat e sipërpërmendur duhet të bëjnë deklarimin me shkrim të pasurisë.
Formularët e tyre do t’i dërgohen më pas SPAK për verifikim.