Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Pressing” në Kosovë, ku ka folur rreth temave të ndryshme politike.
Ndër të tjera, ai është pyetur rreth politikanëve të Kosovës, rreth të cilëve ka dhën mendime të ndryshme.
Ramush Haradinaj
Shefi i qeverisë tha se Haradinajn nuk e merr fare si referencë për tema të mëdha, duke nënkuptuar se ai nuk merr vesh në politikën e jashtme, megjithatë tha se e respeton për luftën në Kosovë.
Rama: E klasifikoj si një person që nuk e marrë fare si referencë për tema të mëdha.Çfarë i ka bërë Ramush Haradinaj Kosovës? Jo vetëm se e vuri taksën. Unë kryeministrin Ramush Haradinajn e kam respektuar maksimalisht. Ka gënjyer ‘derrçe’ kur ka dalë në publik. Doli dhe gënjeu në mënyrën më skandaloze se Edi Rama më bëri presion me heq taksën në darkën në shtëpinë e Edi Ramës. Ka marrë vendimin më të dëmshëm për Kosovën.”
Madje, Rama e bëri fajtor Haradinaj edhe për izolimin e Kosovës.
Rama: Do të ishit pa viza po të pezullonte taksën Haradinaj. Por ai nuk kupton edhe kaq. Tani mbi një vit do të ishit pa viza. Ramushi për votat e veta bëri therror Kosovën. Por as votat nuk i mori.I kam thënë përdore taksën si mjet për të fituar diçka. E ai e përdori që të merrte vota dhe për ta përdorur në atë arenën e vogël të vet.
Kujtojmë se Rama ka paditur ish-kryeministrin e Kosovës për shpifje, pasi ai e ka akuzuar se do të shkëmbejë territoret e Kosovës me Serbinë.
Isa Mustafa
Rama ka sulmuar gjithashtu kreun e LDK-së, Isa Mustafa, duke e etiketuar si një lider tinëzar, pasi sipas tij Mustafa ka qenë në dijeni të kësaj nisme prej një kohe të gjatë.
Rama: Isa Mustafa nuk është nga ata që i thotë të gjitha gjërat që i mendojnë. Ai ka qenë në shumë takime me mua dhe Hashim Thaçin. Këto gjëra janë dakorduar me mua e të e shumë të tjerë. Ai tregohet tinëzar tani. Mustafa është për shengenin rajonal po nuk i thotë të gjitha. Për këtë anën ekonomike jemi dakordësuar moti. Kemi rënë dakord në Procesin e Berlinit për unifikim e dokumenteve, për këto e ato. Jeni të lumtur që jeni të mbyllur atje me atë taksë 100% duke luftuar mullirin e erës?
Kryeministri Rama tha po ashtu se pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo ajo që quhet si heqja e kufirit mes dy shteteve shqiptare nuk bëhet, pasi prej 7 vitesh po përpiqet ta bëjë një gjë të tillë, por është e pamundur sepse nuk ka mbështetjen e Uashingtonit dhe Beogradi nuk është dakord.
Rama: Ka që 7 vjet që dua ta heq kufirin, ja ta shpjegoj unë pse s’bëhet. Në disa raste është tentuar jo ta bësh, por ta nxjerrësh si artikulim, ke vetëm jo Beogradin por edhe Uashingtonin. Ke ministrin e Jashtëm të Shqipërisë nga Kosova, ftoje dhe thuaj, çfarë të ka thënë ty dhe Edi Ramës grupi i posaçëm që erdhi vjet? Këtë që po them unë. Mos e nxirrni më nga goja atë të kufirit. Nuk bëhet se fillon menjëherë Shqipëria e Madhe, kjo kështu, kjo ashtu…
Buzhala: Dhe atëher po tenton të bësh Jugosllavinë e Re meqënëse nuk bëhet kjo?
Rama: Jo, Jugosllavia ka vdekur.