Mbrëmjen e djeshme policia arrestoi pronarin e UET, Henri Çilin.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dyshohet se Çili ka marrë prona dhe para nga babai i Arbion Alikos, me premtimin se do të ndikonte te vendimi i gjyqtarit.
“Dosja.al” ka mësuar se pazari ka nisur nga një telefonatë e Gazmir Ajdinajt, vëllait të partneres së Henri Çilit, Pranvera Ajdinajt, me Adil Alikon.
Ky i fundit i kërkon ndihmë Gazmirit për lirimin e 2 djemve të tij, pasi i kërkonin 1 milion euro
Gazmir Ajdinaj më pas mundëson një takim me Adil Alikos dhe Henri Çilit.
Takimi është zhvilluar më 7 dhjetor dhe biseda është përgjuar nga prokuroria.
Mësohet se Aliko do t’i jepte Çilit 750 mijë euro cash, ndërsa pjesa tjetër në formë prone.
Më 10 janar 2020, Çili i ka dhënë prokurë me emrin e tij Betim Shkupit, për të marrë dy prona në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë, në pronësi të biznesmenit Sait Fishta, i cili dyshohet se ishte dakordësuar me Alikon që të dilte garant tek Çili.
Më 3 shkurt 2020 pronari i UET ka kontaktuar me Kadastrën e Shkodrës, e cila i ka kërkuar që të regjistrojë pronat sa më shpejt.
Pasi ka marrë pronat Çili është takuar në një hotel në Tiranë me një nga emrat më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, takim i cili është përgjuar nga prokuroria.
Sipas burimeve, Çili ka marrë edhe 30 mijë euro për të ndikuar në vendimin për vëllezërit Aliko, si dhe për Feti Yzeirajn, një tjetër të dënuar me burgim të përjetshëm.
Në përgjime ka dalë edhe Lazo Liko, duke mbledhur 10 milion lekë, për t’ja dorëzuar më pas Gazmir Ajdinajt.
Liko u arrestua nga policia, në momentin kur do të jepte paratë.
Ndërsa Çili në takimin me një nga emrat më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, kërkon që Alikot të jenë një nga dosjet e para që do shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.