Në Itali është ndezur drita jeshile për shpalljen e emergjencës nga Coronavirusi dhe Dhoma e Deputetëve votoi me 462 vota pro dhe 2 kundër dekretin, i cili tashmë pritet të kalojë për votim edhe në Senat.
Ky vendim u mor pasi në të gjithë vendin janë më shumë se 400 raste të infektuar, ku mbi 300 prej tyre janë në Lombardi, teksa 12 persona kanë humbur jetën.
Ndërkohë numri i të prekurve në Francë ka shkuar në 18, ndërsa është regjistruar edhe viktima e parë në Norvegji.
Agjencia e Shëndetit Publik në vend ka konfirmuar lajmin dhe bëhet fjalë për një person i cili kishte udhëtuar në Kina në fund të javës së kaluar.
Shtetet të tjera europiane, ku janë regjistruar të infektuar janë: Austria(2), Kroacia (1), Greqia(1), Maqedonia e Veriut(1).
Gjithashtu, bëhet me dije se Coronavirusi ‘ka udhëtuar’ edhe në Amerikën Latine, ku u regjistrua një i infektuar në Brazil.
Bëhet fjalë për një 61-vjeçar që kishte udhëtuar në Itali dhe kishte mbërritur në Brazil të shtunën pa asnjë simptomë, duke kaluar fundjavën me familjen e tij para se të shfaqte simptoma dhe të shkonte në një klinikë shëndetësore ditën e hënë.
Ai u shtrua në spital dhe rezultoi pozitiv me virusin COVID-19, ku po mbahet i izoluar.
Deri në këto çaste në vendin tonë nuk është raportuar për asnjë të prekur, megjithatë qytetarët janë të frikësuar.