Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat e fundit, përsa i përket situatës së koronavirusit në vendin tonë.
Pas mbledhjes së Task Forcës, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, Eugena Tomini, bëri me dije se gjatë mbremjes së djeshme 8 raste të dyshuara kanë rezultuar negativ.
Ajo ka këshilluar qytetarët që të minimizojnë prekjet e gojës, hundës dhe të përdorin bërrylin.
Përsa i përket maskave, Tomini thotë se duhen përdorur vetëm në rastet kur jeni të sëmurë apo keni pasur kontakt me persona të sëmurë.
Më tej shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemologjike shprehet se personat që vijnë nga Italia, nuk dalin nga karantina.
“Kemi shtuar masat në të gjitha pikat kufitare. Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste të dyshuar, që kanë rezultuar negativë. Personat që vijnë nga vendet e prekura nga virusi duhet të telefonojnë në numrin 127. Ju këshillojmë të gjithë qytetarëve të përdorin bërrylin, për të mos përdorur dorën. Të minimizojmë prekjen e gojës, hundës. Të përdoren maska vetëm kur jeni të sëmurë apo keni kontakte me persona të sëmurë. Nuk rekomandohet përdorimi i maskës, kur nuk jeni të sëmurë dhe nuk keni kontakte me persona të prekur. Të gjithë rastet që kanë ardhur nga Kina janë monitoruar nga ana jonë, si është karantinimi, deri në një moment të dytë të situatës. Çdo linjë e ardhur nga Italia monitorohet. Udhëtarët që janë evidentuar dhe vlerësuar në pikat kufitare kanë marrë rekomandimin e duhur. Nëse vijnë nga vendet, ku Italia ka vendosur karantinim, ata udhëtarë nuk dalin nga karantina. Shpresojmë që edhe kjo virozë të ketë një tendencë në ulje me rritjen e temperaturave. Diagnoza bëhet në laboratorin e Inspektorit të Shëndetit Publik dhe rezultati i analizës del për 8-12 orë. Kemi dyfishimin e respiratorëve. Ky dyfishim përballon të gjitha kapacitetet e nevojshme”, deklaroi Tomini.