Një aksident automobilistik u regjistrua sot në mbrëmje në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot, në afërsi të fshatit Gramëz, ku ka mbetur i plagosur një person.
Së fundmi, është zbardhur dinamika e aksidentit, në të cilin janë përfshirë tre makina dhe një motoçikletë.
Fillimisht, një makinë ka goditur motoçikletën dhe më pas është larguar nga vendngjarja duke lënë të shtirë drejtuesin e mjetit.
Më pas, një automjet i rastësishëm që u gjend në vendngjarje ngadalësoi shpejtësinë për t’i ofruar ndihmë të plagosurit, por është goditur nga një automjet tjetër.
Fatmirësisht, përplasja e dytë shkaktoi vetëm dëme materiale, kurse shoferi i motoçikletës ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak.
Mbrëmjen e sotme janë regjistruar po ashtu, edhe 2 aksidente të tjera: një në Korçë dhe një në Lezhë, ku raportohet vetëm për plagosje të lehta.
Kujtojmë se aksidentet e shumta rrugore kanë bërë që masat ndaj shoferëve të shtohen dhe muajin që lamë pas policia paralajmëroi se shumë shpejt, përveç dregerit të alkoolit, do përdorë edhe dragerin për të parë nëse drejtuesit kanë konsumuar lëndë narkotike.
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se për herë të parë në Shqipëri shoferët do t’i nënshtrohen të ashtuquajturit ‘testi i idiotit’, për të parë gjendjen e tyre psikologjike kur efektivët shohin sjellje të dyshimta.