Shpesh herë është folur për diskriminim të emigrantëve shqiptarë nëpër botë, e sidomos në Ballkan ku kjo gjë forcohet për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mes shoqërive.
Këtë fakt e ka përforcuar më shumë një shqiptar i burgosur në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, i cili ka realizuar një intervistë telefonike me “Shqipëria Live”.
Ai është dënuar për grabitje dhe ka treguar se në burgjet greke ka dhunë e racizëm, kryesisht ndaj shqiptarëve, të cilët vuajnë dënimin atje.
Po ashtu, ai ka bërë një deklaratë të fortë, duke u shprehur se është i bindur nga ato që ka parë me sytë e tij në burgun grek, se rasti i Mentor Rexhës që vdiq në burgun francez, është vrasje dhe jo vetëvrasje.
Shqiptari Mentor Rexha 36 vjeç, u gjet i vdekur në një burg në Francë.
Autoritetet franceze e raportuan ngjarjen si vetëvrasje, mirëpo familjarët e të riut nga Lezha nuk janë dakord me këtë version.
Ata kanë publikuar edhe pamje të trupit të të afërmit të tyre, ku dallohen shenjat e dhunës.
Pjesë nga intervista
Prej sa kohësh në burg?
Kam 12 vjet në burg
Për cfarë jeni dënuar?
Për një grabitje
Si trajtoheni atje?
Varet si sillesh në përgjithësi, sipas rrethanave. Në probleme e paguan.
Ka raste që ju keqtrajtojnë?
Unë personalisht kam shenja në trup, ata me maska me elektroshok e me të gjitha.
Edhe kur silleni mirë?
Ishte një rast kohët e fundit në burgun e sigurisë së lartë, ndodhi dicka, e paguam të gjithë, erdhën e na vunë armën në kokë brenda në qeli, që nuk lejohet që jemi në burg e të vijë të na vejë armën në kokë e të na vënë shkelmën në stomak. Edhe Mentor Rexhën e kanë vrarë jam i bindur se i bëjnë këto gjëra.
Pashë nënën e atij të shkretit dhe më erdhi keq se edhe unë njeri me ndienja jam.
Ju keni dhënë një kontribut për familjen e Mentorit?
Nuk është nevoja ta themi prap. Unë po them që e kanë drejtpërsëdrejti me ne shqiptarët.
Kujtojmë se pas lajmit për të ndjerin disa shqiptarë të burgosur në Greqi janë solidarizuar dhe i kanë dërguar familjes ndihma monetare.