Shqiptari Mentor Rexha 36 vjeç, u gjet i vdekur në një burg në Francë.
Autoritetet franceze e raportuan ngjarjen si vetëvrasje, mirëpo familjarët e të riut nga Lezha nuk janë dakord me këtë version.
Ata kanë publikuar edhe pamje të trupit të të afërmit të tyre, ku dallohen shenjat e dhunës.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Jashtme.
Në njoftimin e saj thuhet se ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion nga autoritetet franceze mbi ngjarjen.
Paralelisht i ka sugjeruar familjes së viktimës, që të kontaktojë një avokat për ta ndjekur këtë çështje në rrugë ligjore.
“Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij. Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore. Ambasada është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e shtetasit Mentor Rexha. Në lidhje me procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, Ambasada i ka informuar familjarët sipas legjislacionit në fuqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasada shqiptare në Francë mbeten të angazhuara për zbardhjen e ngjarjes me autoritetet franceze dhe kthimin e shpejtë të trupit të të ndjerit në atdhe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Shqiptari u gjet i pajetë më 1 shkurt në qelinë e një burgu në Francë.
Familjarët e tij kanë hedhur akuza, se 36-vjeçari ka ndërruar jetë për shkak të dhunës dhe torturave.
Djali i xhaxhait të viktimës ndërkohë ka hedhur akuza mbi ambasadën shqiptare në Francë, duke thënë se nuk ka reaguar.
Për më shumë info klikoni këtu.