Richard Grenell është i dërguari i Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi.
Prej disa ditësh ai ndodhet në Ballkan, ku më datë 22 janar u takua me presidentin Thaçi.
Ditën e sotme, Grenell takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Por, nëse Thaçi e vlerësoi rolin e SHBA dhe e konsideroi Trump si vendimtar në marrëveshjen mes Serbisë e Kosovës, Vuçiç nuk ka qenë i këtij mendimi.
Pas takimit, ata thanë gjëra kontraditore që linin për të kuptuar se marrëveshja është shumë larg.
Grenell deklaroi se Serbia duhet të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkohë ka thënë se Prishtina zyrtare duhet të heq taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Dje në Prishtinë e kam bërë shumë të qartë me çdo kënd që jam takuar se tarifa duhet të hiqet. Është e papranueshme. Unë gjithashtu kam sjellë këtu të njëjtën kërkesë, që fushata kundër njohjeve duhet të ndalet”, ka thënë Grenell.
Por, kjo kërkesë e SHBA-së u konsiderua e papranueshme nga Vuçic.
Sipas Vuçiçit nuk mund të barazohet heqja e taksës me ndaljen e fushatës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Unë nuk e pranoj ekuacionin për heqjen e taksës dhe ndaljen e fushatës kundër njohjes së pavarësisë. Ne kemi një qëndrim kombëtar sa i përket pavarësisë së Kosovës, i cili është i ndryshëm nga ai i SHBA-së. Ata duhen sa më shumë njohje që është e mundur, ne nuk duam dhe është puna jonë të bëjmë diçka të tillë. Për mua nuk është e njëjta, sepse taksa është vendosur pa asnjë arsye”, ka thënë kreu i shtetit serb.