Ligji për “Anti-shpifjen” është padyshim një ndër ligjet më të kundërshtuar.
Me paketën e re, AMA merr kompetenca për gjobitjen dhe mbylljen e mediave online nëse gjykon se kanë publikuar lajme të rreme.
Ai u miratua nga Kuvendi më 18 dhjetor 2019, ku 82 deputetë votuan pro, 13 kundër , 5 abstenim dhe 5 nuk morën pjesë në votim.
Seanca zgjati disa orë dhe u prit me protesta nga gazetarët.
Ata u mblodhën para Kuvendit nën sloganin #Mosmaprekfjalën dhe protesta e tyre u mbështet edhe nga qytetarët.
Po ashtu, të huajit kanë qenë kritik ndaj këtij ligji dhe i kanë kërkuar qeverisë disa herë ta rishoh.
Pas miratimit, ligji i kaloi presidentit Meta për dektretim.
Më 12 janar Meta ktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin e “Anti-Shpifjes”.
Ai ka kërkuar ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013.
Së fundmi, bëhet me dije se Komiteti i Monitorimit të Asmblesë parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me këtë paketë.
Sipas VOA, vendimi për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias erdhi në një moment kur parlamenti ka nisur shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Ilir Meta, i cili i ktheu pas ndryshimet e miratuara në fund të muajit dhjetor, ndërsa shumica nga ana e saj po këmbëngul t’i kalojë ato sërish pa i prekur.