Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e 107 vjetorit të policisë së shtetit, ku u përurua edhe reparti i ri për forcat RENEA.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se 2020-a do të jetë vit kyç, për të vënë jetë ofensivën shembullore ndaj krimit të organizuar.
Ndër të tjera kryeministri u ndal edhe tek lufta ndaj KÇK, duke thënë se çdo anëtar gjykate dhe prokurorie që do të marrë vendime në kundërshtim me ligjin, do të vihet me shpatulla pas muri.
“Po kolaudojmë paketën ligjore me SHBA dhe BE dhe në vijim do ta kthejnë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të policisë së shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KCK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë, dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas murit të cdo anëtari të KCK në prokuroria e gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”,u shpreh Rama.
Përsa i përket kriminalitetit në vend, Rama tha se media ka krijuar një situatë artificiale, sikur është shtuar kriminaliteti në vend.
“Është për të ardhur keq që në atmosferën e krijuar artificialisht dhe në klimën e një xhungle informacioni, krijohet përshtypja se situata e kriminalitetit në Shqipëri është rritur. Ndërkohë që faktet flasin ndryshe, pasi shikojmë një ulje të krimeve të ndryshme dhe një rritje në zbulueshmërinë e rasteve të ngjarjeve kriminale. Vitin e shkuar u dyfishuan goditjet kriminale dhe u shumëfishuan asetet e sekuestruara të tyre.”, tha Rama.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
Ky i fundit u shpreh se BE do të investojë 19 milion euro, për modernizimin e kontrolleve në kufirin e gjelbër dhe blu, si dhe për Akademinë e Sigurisë.
“Të ndiqen paratë, të ashpërsohen dënimet. Vetëm në vitet e fundit BE ka shpenzuar 15 milionë Euro për modernizimin e Policisë. Ne kemi punuar me forcat e Policisë për të qenë sa më modernë dhe në dy vitet e fundit do të dedikojë 19 milionë euro, për Akademinë e Sigurisë dhe për modernizimin e kontrolleve në kufirin e gjelbër dhe atë blu të Shqipërisë. Krimi i organizuar duhet luftuar nga të gjithë, pasi ai nuk ka kufij. Një Shqipëri më e sigurt do të thotë një Evropë më e sigurt, unë ju përgëzoj për punën e tyre”, u shpreh Soreca.