Policia ka vënë një pranga një 40- vjeçar nga Tirana me iniciale E.R., për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Rezulton se ky person e kryente aktivitetin në zonën e Freskut dhe Kinostudios.
Gjatë kontrollit fizik atij iu gjetën 11 doza me kokainë.
Më pas policia kontrolloi edhe banesën e 40-vjeçar-it, ku gjeti doza të tjera me kokanë, kanabis, ekstazi, peshore elektronike dhe një pistoletë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Tiranë
Finalizohet një tjetër operacion në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni policor i koduar “Kombinimi”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Sekuestrohen lëndë narkotike, armë zjarri dhe peshore elektronike.
Vihet në pranga një 40-vjeçar që posedonte armë zjarri dhe që tregtonte lëndë narkotike.
Në vijim të punës për kontrollin e territorit, kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike apo që posedojnë armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Kombinimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– E. R., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se shtetasi E. R. tregtonte lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi në zonën e Freskut dhe Kinostudios, në Tiranë.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, u bë e mundur që gjatë zhvillimit të operacionit, në zonën e Freskut, të kapej në flagrancë 40-vjeçari, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Kontrolli ka vijuar në banesën e 40-vjeçarit, ku Policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, doza të tjera me kokainë, cannabis sativa dhe ekstazi, si dhe peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.