Më 30 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë iu drejtua për ‘ndihmë’ Komisionit të Venecias.
Sipas “BalkanWeb” letra e Kuvendit është firmosur nga kryeparlamentari, Gramoz Ruçi dhe shtron disa çështje kryesore, si : Gjykata Kushtetuese dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të saj, roli i Presidentit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhja e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Në letër thuhet se më 5 dhjetor “Kuvendi ka zgjeruar objektin e hetimit” të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe “afatin e veprimtarisë së tij, nisur nga një kërkesë e re e një grupi deputetësh për të shtuar në procesin hetimor dhe disa akte dhe veprime të tjera të Presidentit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues ndodhur në nëntor të këtij viti, për të cilat kërkuesit çmojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe përbëjnë shkak për shkarkimin e tij”.
2020-01-07-091024(Kliko për të lexuar letrën)
Më pas, shtrohen edhe 6 pyetjet e mëposhtme:
1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?