Një krim i rëndë tronditi fshatin Gjerbës të Mallakastrës pak ditë më parë.
Tre të rinj, dhunuan, lidhën dhe më pas mbytën me peshqir 50-vjeçaren Drita Saliaj, në tentativë për ta grabitur.
Më pas ata e hodhën trupin e viktimës në rezervuarin e fshatit.
Prindërit e 26-vjeçarit, Ervis Zotkaj, i cili është edhe njëri prej autorëve, kërkojnë dënimin më të rëndë për djalin e tyre.
I ati i tij ka thënë për “Balkanweb”,se do ta pushkatojë me dorën e tij, nëse e sjellin në fshat.
“I lutem shtetit të marrë masat më të rënda, ose ta bjerë në Gjerbës të Mallakastrës, ta pushkatoj me dorën time. Nuk e di nëse djali im është autor i ngjarjes, nuk di asgjë. Makina e djalit ishte në shpi më 5 janar, edhe djali ishte në gjumë, deri këtu e di”, thekson i ati i 26-vjeçarit.
Ky i fundit për viktimën thotë se ishte një grua shumë e mirë dhe e ndershme.
Ndër të tjera ai shton se nuk ka ndërmend ta mbështesë djalin në gjykatë, ndërsa kërkoi edhe pushkatimin e tij.
Çfarë ka ndodhur ditën që ka ardhur policia?
Policia erdhi në 4, ishim në gjumë. hapa portën, më thanë jemi policia, ku e ke djalin. Ju thashë që nuk e di. Më thanë gjej djalin. Iu thashë të shikonin brenda në shtëpi, se unë nuk e di. Djali kishte vajtur te një kushëri, që banon në Greqi, dhe vajtën e kapën atje dhe e morën me makinë.
Keni folur me djalin pas 5 janarit? Flet nëna
Jo, ishte si i tërbuar. Nuk hante bukë në rregull, ikte shpeshherë. Dua dënimin më të rëndë, ta çoni e ta lyeni me benzinë e ta vrisni. Ajo gruaja është shumë e mirë, shumë e ndershme. Për Vit të Ri e urova, e pyeta me kë e kaloi, më tha vetëm. Unë jam ta pushkatoni në vend djalin. Ai vinte e ikte të shtunën, mora dhe vajzën në telefon, po më tha ashtu bën ai. Ishte si i hutuar, i trembur. Luisi ishte në Greqi, atë tjetrin nuk e njoh fare.
Do ta përfaqësoni djalin në gjykatë?
Jo, jo. Djalin e mbështes me plumb në kokë, kaq. Unë dua të pushkatohet këtu në fshat, se nuk e dua. Të ma bënte mua nënës më parë, pastaj Dritës. E kemi rritur me lakra, na janë këputur duart duke punuar për të dhe të na bëjë këtë. Unë kam katër djem e tri vajza, tani kam gjashtë fëmijë. Të ma sjellin këtu, po s’e vrava, mos më quani të tillë. Ai më ka borxh kokën. Unë do ik nga këtu dhe do shkoj në Gjerbës e do i them më vrit mua. Unë si prindër vete vetë atje dhe iu them të më pushkatojnë.
Daja: Ai të marrë ndëshkimin më të merituar të mundshëm. Ka bërë një veprim shumë, shumë të vështirë dhe shumë të rëndë. Mos i ndodhtë asnjë njeriu kjo. Nuk e mbështes fare, unë e kam shkruar të vdekur. Mua më ka vdekur ky nip.
Përveç 26-vjeçarit, bashkëpunëtorë të tjerë në krim janë dy 16-vjeçarë, njëri prej të cilëve ishte edhe nipi i bashkëshortit të viktimës.