Viti 2020 ka nisur me një skandal të ri në shëndetësi.
Bëhet fjalë për mbivendosje mes shëndetësisë private dhe asaj shtetërore, ku protagonistë janë “Albcontrol” dhe Spitali Amerikan.
Më 24 dhjetor, “Albcontrol”, e cila është kompani 100% shtetërore, ka vendosur të paguajë me paratë e shtetit, shërbimet shëndetësore për të punonjësit dhe të afërmit e tyre.
Në total shuma e tenderit shkon në 41 milion lekë të reja në vit dhe nuk varet numri i check-up-eve, analizave laboratorike, apo ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan “Shqiptarja.com.
Tenderi u hap nga “Albcontrol” në tetor të 2019-ës, duke vendosur kritere shumë të forta, për të eleminuar konkurentët e tjerë.
Në mesin e kritereve ishte edhe hemodializa, shërbim për të cilin Spitali Amerikan e ka fituar njëherë tenderin nga shtetit.
Tenderi pa garë filloi në mes të tetorit dhe nuk u ndërpre as në ditët tragjike të tërmetit.
Ashtu siç ishte planifikuar, në garë mori pjesë vetëm Spitali Amerikan.
Ky i fundit me shumë mundësi ishte informuar më parë se nuk kishte konkurentë të tjerë, prandaj nuk e uli aspak ofertën.
Si përfundim tenderi u mbyll me fondin limit prej 41 milion lekësh të reja.
Sipas portalit “CNA.al”, pas tenderit fshihen marrëdhëniet personale mes drejtorit të “Albcontrol”, Mina Kusta dhe drejtorit të Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeut.
Për garën e dyshimtë, pritet që SPAK të hapë hetim.
Gjithashtu edhe KLSH, do të nisë verifikimet për të kuptuar, se si ka mundësi që një strukturë shtetërore paguan një spital privat për shërbimet shëndetësore të punonjësve të saj.
Mbi të gjitha, nuk ka bazë ligjore, që këtë shërbim ta përfitojnë edhe familjarët e punonjësve.