Skip to content
Të Gjitha

Galeria Kombëtare e Arteve mbyll ekspozitën “Onufri” e mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe kryeministri

· 2 min lexim

Pas gjithë polemikave që kanë lindur për ekspozitën “Onufri”, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur që ta mbyllë përfundimisht dhe kjo me përkrahjen edhe të Ministrisë së Kulturës.

Tradita që vazhdonte prej më shumë se 20 vitesh, e cila mblidhte artistët më në zë të arteve pamore, do të ndërpritet edhe pas gjithë kërkesave që kanë drejtuar artistët për mosndërprerjen e saj.

Ata janë drejtuar si kryeministrit Rama, ashtu edhe ministres Kumbaro dhe drejtorit të Galerisë Kombëtarë të Arteve, Erzen Shkololli, por asnjëherë nuk u morën parasysh.

Ditën e sotme Galeria e Arteve ka nxjerrë një njoftim për mediat, ku edhe ka bërë publik vendimin e 7 anëtarëve të bordit në këtë institucion.

Në njoftim thuhet

“Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik.”

Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga: Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij Bordi ranë dakord për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes  së tyre më datë 11.12.2018, me Vendim nr. 308/2.

“Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura. Për këtë arsye,për vite me radhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike.