SHKODËR– Policia bën me dije se dy persona janë arrestuar në afërsi të Hanit të Hotit, pasi po transportonin ilegalisht 9 klandestinë.
Ata janë kapur në flagrancë duke transportuar shtetas algjerianë dhe tunizianë me destinacion Malin e Zi dhe pastaj vendet e BE-së.
Në pranga kanë rënë A. A., 30 vjeç dhe F. H., 45 vjeç.
Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve“.
Njoftimi i Policisë
Shkodër/ Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacion nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Arrestohen në flagrancë dy persona, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët transportonin 9 shtetas algjerianë.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin dhe goditjen e tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, pas një pune të mirorganizuar u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- A., 30 vjeç, banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe;
- H., 45 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe;
Arrestimi i tyre u bë, pasi në afërsi të PKK Hani i Hotit u kapën teksa me mjetet e tyre po transportonin 9 shtetas të huaj algjerianë dhe tunizianë, me destinacion Malin e Zi dhe pastaj vendet e BE-së. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve“.