161 mijë $ në emër të Nënë Files, shtëpinë e bën kompania falas/ Ku janë paratë? Organizata pa bilanc për fondin që shqiptarët ia besuan Andit

161,754 dollarë u mblodhën nga shqiptarët për Nënë Filen dhe djalin e saj Andi, pas një fushate që kërkonte fillimisht 85 mijë dollarë për përmirësimin e kushteve të banesës dhe kujdesin ndaj djalit në spektrin e autizmit. Por pas solidaritetit masiv kanë nisur akuzat dhe kërkesat për llogari: familja nuk i ka marrë 161 mijë dollarët, shtëpia po rikonstruktohet nga një kompani që thotë se nuk ka marrë para nga GoFundMe, ndërsa organizata që administron fushatën nuk ka publikuar bilancin e fondit.
Në qendër të mbledhjes së parave është Manjola Kuçi. GoFundMe i hapur më 15 korrik 2026 nuk figuron me “Brandon Forever 22 Legacy” si organizator, por me Kuçin, me vendndodhje Fair Lawn, New Jersey. Megjithatë, në përshkrimin e fushatës përdoret emri i organizatës dhe thuhet “We are Brandon Forever 22 Legacy”.
Objektivi ishte 85 mijë dollarë. Shqiptarët dhuruan 161,754 dollarë, plot 76,754 dollarë mbi shumën e kërkuar. Pas akuzave të ngritura nga qytetarë, protestues dhe persona me ndikim në rrjetet sociale, “Brandon Forever 22 Legacy” reagoi duke thënë se paratë nuk do t’i jepeshin familjes cash, por do të përdoreshin për nevojat e saj në vazhdimësi: rikonstruksionin dhe mobilimin e shtëpisë, terapinë afatgjatë të Andit, transportin dhe medikamentet.
Por reagimi nuk solli bilancin e parave. Përkundrazi, nxori në pah një kontradiktë të re.
Organizata deklaroi se për rikonstruksionin janë nënshkruar marrëveshje dhe se punimet u bënë të mundura falë bashkëpunimit me “një nga kompanitë më të mëdha në vend”. Emrin e kompanisë nuk e bëri publik, marrëveshjen nuk e publikoi dhe nuk tregoi as vlerën e punimeve.
Më 10 shtator, JOQ Albania publikoi versionin e kompanisë që po kryen rikonstruksionin. Sipas medias, kompania e kishte kontaktuar në mënyrë konfidenciale, kishte dërguar pamje nga punimet dhe kishte kërkuar të mbetej anonime. Kompania deklaroi se “nuk ka marrë asnjë qindarkë nga GoFundMe-ja”, se rikonstruksioni po realizohet prej saj dhe se “Brandon Forever 22 Legacy” do të mbështesë mobilimin. Në informacionin e publikuar thuhet gjithashtu se nuk ekziston marrëveshje mes kompanisë dhe organizatës për financimin apo realizimin e punimeve.
Këtu përplasen dy versione. Organizata flet për marrëveshje dhe bashkëpunim për rikonstruksionin; kompania që po bën punimet thotë se nuk ka marrë para nga fondi dhe mohon një marrëveshje të tillë me organizatën. Nëse “Brandon Forever 22 Legacy” ka një marrëveshje me një kompani tjetër, duhet të tregojë me kë dhe për çfarë. Nëse flet për të njëjtën kompani, duhet të shpjegojë përse versionet nuk përputhen.
Problemi bëhet edhe më i madh për fondin. Shtëpia ishte një nga arsyet kryesore për të cilat iu kërkuan shqiptarëve 85 mijë dollarë. Nëse rikonstruksioni po bëhet pa prekur GoFundMe-n, organizata duhet të tregojë se çfarë ka ndodhur me 161,754 dollarët e mbledhur.
Në reagimin e saj nuk jepet sa është tërhequr nga GoFundMe, në cilën llogari kanë kaluar paratë, sa është shpenzuar deri tani dhe sa ka mbetur. Nuk jepen kostot e terapisë, transportit, medikamenteve apo mobilimit dhe nuk publikohet një pasqyrë financiare e shoqëruar me dokumentacion.
Pikëpyetje ka edhe mbi administrimin e fondit. Në GoFundMe figuron Manjola Kuçi, ndërsa publikisht përgjigjet “Brandon Forever 22 Legacy”. Nuk është sqaruar publikisht kush është përfituesi financiar i tërheqjeve nga platforma dhe mbi çfarë marrëdhënieje Kuçi administron fondet në emër të organizatës.
Dhe nuk bëhet fjalë për një GoFundMe të vetëm. Kuçi figuron si organizatore edhe në fushata të tjera të lidhura me “Brandon Forever 22 Legacy”, përfshirë atë për motrat Sinani me objektiv 100 mijë dollarë dhe atë për Denis Dollapin dhe nënën e tij me objektiv 30 mijë dollarë. Në këtë të fundit specifikohet se donacionet mblidhen në emër të organizatës.
Edhe vetë organizata lë boshllëqe në transparencën publike. Ajo prezantohet si NGO, por në faqen e saj nuk ekspozon NIPT/NUIS, numër regjistrimi, statut, akt themelimi, organet drejtuese apo raporte financiare. Kjo nuk provon se organizata nuk është e regjistruar, por e bën edhe më të nevojshëm sqarimin se kush administron ligjërisht fondet e mbledhura nga publiku dhe si kontrollohen ato.
Këtu nuk mjafton më një deklaratë se Andi do të mbështetet për vite. Akuza e ngritur publikisht mund të rrëzohet vetëm me dokumente: bilancin e GoFundMe, llogarinë ku kanë kaluar fondet, shpenzimet e kryera, faturat dhe shumën që ka mbetur.
Deri atëherë mbetet një kontradiktë e rëndë: shqiptarëve iu kërkuan para edhe për shtëpinë, shtëpinë po e bën një kompani që thotë se nuk ka marrë asnjë qindarkë nga GoFundMe, ndërsa për 161,754 dollarët ende nuk është publikuar llogaria e plotë.
Ku janë paratë, kush i administron dhe pse nuk hapen llogaritë?