Report Tv ka zbardhur draftin e qeverisë për amnistinë e fundvitit.
Sipas tij, nga amnistia do të përfitojnë 56 gra të burgosura, 6 fëmijë të mitur, burrat të dënuar deri në dy vite dhe në moshën mbi 60 vjeç.
Në Burgun e Grave në Tiranë 28 gra do të lirohen dhe 28 të tjera do përfitojnë 1\3 ulje të dënimit, nga 56 të burgosura .
Drafti pritet të miratohet në Kuvend në seancën e parë të sesionit parlamentar në janar të vitit 2020.
Gjithashtu do përfitojnë nga amnistia personat meshkuj, të cilët :
– janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë
– janë dënuar deri në 2 vite burg ose çdolloj dënimi tjetër më të butë,
– janë dënuar me një nga llojet e alternativave të dënimit me burg.
Kriteret që duhet të plotësohen për përfitimin e amnistisë
- Amnistohen personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
- Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
- Amnistohen personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
- Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
- Amnistohen personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
- Amnistohen personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
- Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
- Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikave 2, 4, 5 dhe 7, të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.
Nga amnistia e fundvitet pritet të përfitojnë minimalisht 650 të dënuar.
Prej tre vitesh ligji për amnistinë nuk ka mundur të shkojë në Kuvend.
731 të dënuar e fundit që patën mundësi të liroheshin nga amnistia i përkasin vitit 2016.