Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat, njoftoi praninë e një organizate terroriste iraniane, që do të kryente një sulm terrorist në 2018-ën, gjatë festës së Sulltan Novruzit.
Një prej anëtarëve të celulës është edhe Abdulselam Turgut, një emër i njohur i trafikut ndërkombëtar të drogës. Së fundmi ai është burgosur në Azerbajxhan dhe Turqi, shkrun ‘Dosja.al’.
Turgut në vitin 2011 është burgosur në Shqipëri, me akuzën e trafikut të 1 ton heroinë.
Pasi gjykata e vendosi në “Arrest shtëpie”, ai u arratis nga Shqipëria duke përdorur një pasaportë false.
Operativët e Turgut janë dërguar në Shqipëri nga Malek Zadeh dhe forcat e jashtme iraniane “QUDS”, për të kryer sulme ndaj muxhahedinëve.
Turgut ka lidhje edhe me emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri.
Siç shkruan ‘Dosja.al’, mediat turke e kanë lidhur Turgut me Hekuran Hoxhën, ose të quajtur ndryshe si ‘Roni i Shijakut’.
Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, për trafikimin e 400 kg heroine në Itali dhe në 2011-ën për trafik heroine në Turqi.
Vendimi për lirimin e Turgut është dhënë nga gjyqtari Gjin Gjoni.
Ky është një nga vendimet më skandaloze të drejtësisë shqiptare.
Njëkohësisht ka shkaktuar një krisje të raporteve diplomatike me Gjermaninë, shtet në të cilin turku ishte i kërkuar.
Trupa e gjykimit ishte e përbërë nga Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani.
Ai ishte arrestuar më 18 shkurt të 2013-ës për llogari të drejtësisë gjermane dhe pasi doli nga burgu u arratis dhe tashmë nuk gjendet më.
Argumenti i Gjonit për vendimin ndaj Turgut ishte: “Masa e sigurimit me afat 40-ditor e përzgjedhur nga gjykata është tejet ekstreme dhe nuk i përgjigjet rëndësisë së faktit. I arrestuari është vendosur nën masë sigurimi për efekt ekstradimi në Gjermani. Nuk ka kërkesë për ekstradim, por ka vetëm një kërkesë për masë shtrënguese. Të arrestuarit i janë marrë dokumentet, ai nuk ka rrezik ikjeje, pasi ka lëvizur gjithmonë lirisht brenda shtetit turk dhe ai është i sëmurë, ka një kontratë qiraje me shtetas shqiptarë, ka një biznes të rregullt, është familjar.”
Mirëpo familjari me biznes të rregullt sapo doli nga dera e gjykatës u zhduk dhe sot është terroristi më i kërkuar në Shqipëri.