Vrasja e biznesmenit, Remzi Hoxha mbetet mister edhe sot e kësaj dite.
Ai u rrëmbye në vitin 1995 dhe që prej atij momenti, nuk dihet më asgjë për të.
Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, ka rrëfyer për ‘Top Story’, se nuk ka rreshtur kurrë së kërkuari eshtrat e të atit.
Ai shton se kanë paguar 30 mijë dollarë një person, që pretendonte se kishte gjetur eshtrat e Remziut dhe në fund dolën kocka qeni.
“Kemi dhënë mbi 1 milion dollarë për çdo pjesë të informacioneve. Xhaxhit tim Nexhmedinit i vjen një person edhe i thotë “Remziu ka vdekur eshtrat i kemi gjet dhe për 30 mijë dollarë po sjellim eshtrat. Ok ia japim lekët, kur ia bëjmë AND-në na dalin që janë eshtrat e qenit”, rrëfen Ardian Hoxha.
Si ndodhi historia
Paraditen e datës 21 tetor 1995, katë persona prezantohen si punonjës të SHIK-ut dhe marrin në makinë Remzi Hoxhën.
Ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit, “Albatros”.
Që nga momenti që u fut në një makinë të bardhë, nuk dihet më asgjë për të.
Po atë ditë u rrëmbyen edhe gazetari Kosovar, Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandiot, Ziso Kristopulli.
Ata arritën të mbijetonin nga torturat, por nuk e dinin se ku kishte përfunduar Remzi Hoxha.
Ish-punonjësi i SHIK-ut, Budjon Meçe u dënua së bashku me Ilir Kumbaron.
Mirëpo në momentin e fundit në gjyq, mbërrin një raport mjekësor, sipas të cilit, Meçe ishte në koma në një spital pivat në Tiranë.
Vendimi për të nuk hyri kurrë në fuqi, ndërsa Ardian Hoxha thotë se sot ai nuk është më gjallë.