Lindita Nikolla ka qenë më e sulmuara sidomos nga studentët të cilët prej shumë ditësh janë duke protestuar pikërisht për vendimet që janë marrë nga kjo ministri.
Megjithatë pavariësisht gjithë akuzave, pavarësisht gjithë goditjeve, nga foltorja e Kuvendit Nikolla është shprehur se nuk ka aspak ndërmend të ulë kokën për baltën që janë duke i hedhur, sidomos opozita.
Nikolla tha se bashkohet me protestën e studentëve, pasi ata janë duke kërkuar një gjë të drejtë, po asnjëherë nuk mund të krahasohet arsimi me atë të para 5 viteve.
“Dëgjova diskutimet e Bashës dhe padyshim me dëshirën e flamurmbajtësit të protestës së studentëve, duke bërë shpifje. Të gjithë e dinë si e latë ju arsimit, për çfarë bërtisni sot? Çfarë do thoni për tekstet gjithëfare dhe kioskat universitare. Kujtoni se do më bëni mua të ul kokën për baltën tuaj. Do shihni rezultatet në arsim. Do flas dhe për vendimmarrjet e mia”, ka thënë ministrja.
Ajo e ka akuzuar drejtpërdrejt PD se është një nga shkaktaret kryesore të kësaj gjendjeje, pasi e lanë sistemin arsimor në rënie të lirë dhe qeveria ka ndërmarrë reforma në çdo aspekt.
“Ku vajtët ju që thonit se do rrisim tarifat që paratë të shkojnë te privati? Studentët protestojnë me të drejtë, ata kanë nevojë për më shumë cilësi, por as nuk krahasohen me arsimin e para 5 viteve. Unë kam marrë vendime shumë të vështira, por jam kujdesur që të gjithë aktorët në sistemin arsimor të bëjnë rolin e tyre sipas raportit të përgjegjësive. Koha do ta tregojë. Ju sjell ndër mend dështimin spektakolar për akreditimin e universiteteve. E çfarë ndodhi? U mor vendimi për të mos akredituar asnjë universitet në Shqipëri,” tha Nikolla.