Rudina Hajdari ka reaguar sërish në lidhje me votimin e Grupit Parlamentar të PD, që zgjodhi si kryetar Korab Litën.
Hajdari nuk e ka pranuar këtë gjë dhe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije më herët se ishte ende ajo kryetarja.
Demokratja në reagimin e fundit, ka akuzuar Korab Litën dhe gangsterët e tij, për presion ndaj deputetëve.
Ajo ka publikuar një dokument të firmosur nga deputetja demokrate, Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur largimin nga Grupi Demokrat nëse ky vendim qëndron.
Hajdari sqaron, se pamjet filmike të Kuvendit, do t’i dërgohen Prokurorisë.
Postimi i plotë
Përveç një protagonizmi të shëmtuar mediatik, Korab Lita dhe gangsterët e tij, kanë ushtruar presion ndaj deputetëve, përfshirë edhe zj. Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur, për tërheqjen e këtij puçi. Pamjet filmike të disponuara nga zyrat e Kuvendit do t’i çohen Prokurorisë.
Ndërkohë Korab Lita, në një deklaratë të pak orëve më parë për mediat, shprehej se Hajdari ka zhgënjyer besimin e deputetëve demokratë.
Ai pretendonte se e bija e Azem Hajdarit, kishte diktuar në mënyrë verbale dorëheqjen e saj.