Personi që qëlloi me armë në mes të Kavajës dhe tentoi të vrasë tregtarin, Rexhep Tare, është mbyllur në psikiatrinë e Tiranës.
Siç shkruan “Shqiptarja.com”, Prokuroria e Kavajës ka konstatuar se Fitim Baboçi pas ngjarjes së rëndë, ka shfaqur probleme mendore.
Ndaj tij Gjykata e Kavajës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, por për shkak të problemeve mendore është urdhëruar që të trajtohet në psikiatri.
Në rast se nuk do të ndërhynin, Imer Xhafa dhe Bajram Shala, të cilët i morën kallashin nga duart, ndoshta sot Tare do të ishte i vdekur.
Në dëshminë e tij Baboçi është shprehur se akti e kreu në gjendje të rënduar psikologjike, pasi Tare e ofendonte.
“Këtë akt unë e bëra nga gjendja e rënduar psikologjike sepse Rexhep Tare, ka shumë kohë që më ofendon dhe më shan duke më thënë publikisht se “…ti je i mallkuar dhe përdhunues…”, mësohet të ketë thënë Baboçi.
Më tej ai shtoi, se kishte si qëllim ta plagoste Taren në këmbë dhe jo t’i merrte jetën.