Pas arrestimi të Blendi Tetës, policia ka shpallur në kërkim 4 persona, si të implikuar në vrasjen e ish-policit, Santiago Malko.
Sipas “Faxnews”, personat e shpallur në kërkim janë Erlis Duka, Ilir Selmani, Elvis Gaçaj dhe Oltian.L.
Një tjetër i implikuar në atentatin ndaj Malkos është edhe Ervis Metani ose i njohur ndryshe si “Visi i vogël”, i cili dyshohet se është pronari i mjetit tip “Golf”, me të cilin u krye krimi.
Metani nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi është kapur pak kohë më parë me një sasi të konsiderueshme droge në zonën e Linzës në Tiranë.
Mendohet se këto persona janë shpallur në kërkim, pas dëshmive të Tetës.
Ky i fundit dyshohet se ka informuar autorët për lëvizjet e ish-policit.
Edhe pse i arrestuari ka mohuar çdo gjë, kamerat e sigurisë e kanë kapur pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Kujtojmë këtu se atentati ndaj Malkos u regjistrua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e Porcelanit në Tiranë.
Sipas policisë, plumbat kanë dalë nga një “Benz” ngjyrë gri, ku brenda tij ndodheshin dy persona të maskuar, të cilët janë kapur nga kamerat e policisë.
Ato qëlluan me breshëri ndaj automjetit ku ndodhej Malko, ku dy prej plumbave kanë prekur organet e tij jetësore.
Ndërkohë në dëshminë e dhënë nga Blendi Teta, nuk zbardhet plotësisht se cili nga personat e shpallur në kërkim ka qëlluar.
Në rrëfimin e tij përpara hetuesve, 39-vjeçari ka zbuluar se përpara se të ndodhte atentati ka darkuar me këta persona, në bodrumin e një lokali pranë teleferikut, në pronësi të Leondard dhe Erlis Dukës.
Ai ka treguar të gjitha lëvizjet e makinave të përdorura në atentat, ndërsa sipas tij, sapo ka kuptuar se do të ndodhte diçka e keqe është larguar për në banesën e bashkëjetueses së tij në “Don Bosko”.