Skip to content
Kryesore

U godit nga autoboti i policisë me ujë me presion gjatë protestës, Briken Tuci në luftë për jetën me hemorragji në tru

· 2 min lexim

Një qytetar doli më 28 Nëntor për të protestuar, ndërsa sot ndodhet në Spitalin e Traumës duke luftuar për jetën.

34-vjeçari Briken Tuci, i cili u godit nga uji me presion i autobotit të policisë gjatë protestës së Ditës së Pavarësisë, ndodhet në gjendje kritike, sipas bashkëshortes së tij, Marjonela Krosi.

Ajo ka bërë të ditur se skaneri i kryer mëngjesin e sotëm ka evidentuar disa vatra hemorragjie në tru, të cilat, sipas komunikimit me neurokirurgun, aktualisht nuk mund të operohen. Jeta e 34-vjeçarit është në rrezik.

Në një ditë kur shqiptarët përkujtonin shpalljen e Pavarësisë dhe protestonin për të drejtat e tyre, policia përdori autobotët me ujë me presion kundër protestuesve. Sot, një familje përballet me rrezikun e humbjes së njeriut të saj.

Bashkëshortja e Brikenit u është drejtuar të gjithë shqiptarëve me një apel rrëqethës për solidaritet dhe drejtësi.

“Ky djalë dhe unë jemi shkolluar në këtë vend, kemi punuar në këtë vend dhe jemi munduar ta ndërtojmë gjithçka me djersën tonë, pa i bërë keq askujt. Nëse ka sadopak drejtësi dhe humanizëm në këtë vend, sot kam nevojë për të gjithë ju. Kam nevojë për zërin tuaj, për mbështetjen tuaj, që të mos humbasim një djalë, një vëlla dhe një bashkëshort. Ju përgjërohem të gjithëve, mos heshtni! Më ndihmoni të luftoj për të. Brikeni po lufton me jetën dhe unë ndihem e vetme përballë kësaj situate. Kërkoj vetëm drejtësi, asgjë më shumë. Ju lutem, mos më lini vetëm në këtë luftë. Mos e lini Brikenin vetëm!”

Rasti i Briken Tucit ngre shqetësime jashtëzakonisht serioze mbi përdorimin e forcës policore ndaj qytetarëve, proporcionalitetin e saj dhe përgjegjësinë e zinxhirit komandues.

E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese. Ushtrimi i saj nuk mund t’i kushtojë qytetarit jetën!