Skip to content
Kryesore

Alarm për bizneset në Tiranë/ Qiratë e dyqaneve janë rritur deri në 66%, tjetër valë shtrenjtimi në 2027, rrezik për rritjen e çmimeve për qytetarët

· 2 min lexim

Të hapësh një biznes në Tiranë apo të mbash në këmbë një aktivitet ekzistues po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Qiratë e dyqaneve në kryeqytet janë rritur deri në 66% që prej vitit 2020, ndërsa për vitin 2027 paralajmërohet një tjetër shtrenjtim, duke rënduar më tej kostot e bizneseve.

Sipas raportit të fundit të “Colliers Albania”, qiraja mesatare e dyqaneve në rrugët kryesore të Tiranës ka arritur në 58 euro për metër katror në muaj, nga 35 euro që ishte në vitin 2020. Vetëm në dy vitet e fundit, çmimet janë rritur me 5.5%.

Situata nuk është më e mirë as në qendrat tregtare, ku qiratë kanë kaluar nga 45 euro për metër katror në vitin 2020, në 70 euro në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 55.5%.

Thënë më thjesht, një dyqan prej 50 metrash katrorë në një nga rrugët kryesore të Tiranës, që gjashtë vite më parë kushtonte mesatarisht 1,750 euro në muaj, sot kushton 2,900 euro. Pra, 13,800 euro më shumë në vit vetëm për qiranë, pa llogaritur taksat, pagat, energjinë elektrike dhe furnizimet.

Por shtrenjtimi nuk pritet të ndalet. Për vitin 2027, “Colliers Albania” parashikon rritje të mëtejshme të qirave në rrugët kryesore të kryeqytetit, për shkak të mungesës së ambienteve në zonat më të kërkuara dhe interesit në rritje të markave ndërkombëtare.

Ndërkohë, edhe pse përqindja e ambienteve të padhëna me qira është rritur nga 3.71% në vitin 2024 në 5.44% në vitin 2026, çmimet nuk kanë pësuar ulje.

Gjatë vitit 2025, në tregun shqiptar kanë hyrë disa marka të reja ndërkombëtare, ndërsa zgjerimi i qendrës tregtare TEG parashikon shtimin e mbi 14 mijë metrave katrorë dhe vendosjen e më shumë se 40 markave të reja deri në vitin 2029.

Në një treg ku bizneset e vogla duhet të konkurrojnë me kompani të mëdha, që kanë mundësi financiare shumë më të larta, shtrenjtimi i qirave ngre pikëpyetje serioze për vazhdimësinë e tyre.

Përballë kostove gjithnjë e më të larta, bizneset rrezikojnë të detyrohen të rrisin çmimet ose të mbyllin aktivitetin. Në të dyja rastet, pasojat prekin edhe qytetarët, përmes shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve apo humbjes së vendeve të punës.