Skip to content
Kryesore

Skandali me mishin e sufllaqeve/ Gjiro në dysheme mes papastërtive shtyheshin me këmbë, Prokuroria bllokon 2 tonë mish të kalbur te “R Sauli”, biznesi kishte kaluar pa probleme kontrollin e AKU-së

· 5 min lexim

Dy tonë mish i destinuar për konsum, gjiro të hedhura në dysheme, ambiente të papastra, denoncime për mish të kalbur dhe tentativa për të fshehur produktet e për të dhunuar gazetarët. Një tjetër skandal i sigurisë ushqimore është zbuluar në Fier, duke ngritur sërish pikëpyetje serioze mbi funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe sigurinë e produkteve që konsumojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë.

Në qendër të skandalit ndodhet subjekti “R Sauli”, në pronësi të Renald Saulit, i cili furnizon me mish për gjiro dhe sufllaqe fast-food-e në Fier, Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Investigimi i Fiks Fare nisi pas një denoncimi për furnizimin e këtij subjekti me mish të kalbur, kryesisht nga kompania “King Meat”, e cila ishte bërë objekt i një tjetër investigimi vetëm pak ditë më parë.

Pamjet e filmuara brenda ambienteve të përpunimit të mishit janë alarmante. Gjirot që do të përfundonin në fast-food-et e vendit qëndronin në dysheme, ndërsa mishi ishte shpërndarë nëpër vaska, në kushte që ngrinin dyshime serioze për respektimin e standardeve të higjienës dhe sigurisë ushqimore.

Në momentin që kuptuan se po filmoheshin, punonjësit tentuan të fshihnin produktet, duke shtyrë me këmbë gjirot e vendosura në dysheme. Ata u përpoqën të nxirrnin me forcë gazetarët nga ambientet e subjektit, ndërsa njëra prej punonjëseve tentoi të godiste gazetaren me një shkop fshese.

Pronari pranon se furnizohej edhe me mish të dorës së dytë

Në një komunikim telefonik me gazetarët, pronari Renald Sauli pranoi se furnizohej nga disa kompani, por edhe se merrte mish të dorës së dytë në Elbasan dhe qytete të tjera.

Sa i përket kompanisë “King Meat”, Sauli deklaroi se furnizohej rrallë prej saj, duke argumentuar se mishi i kësaj kompanie ishte i shtrenjtë.

Pas njoftimit të Prokurorisë së Fierit, me urdhër të prokurorit Kristi Jorgji, në ambientet e subjektit mbërritën oficerët e Policisë Gjyqësore.

Edhe përballë grupit hetimor, punonjësit tentuan të pengonin hyrjen në ambientet e përpunimit. Ndërkohë që oficerët kryenin verifikimet, punonjësit u përpoqën të pastronin papastërtitë, ndërsa nëna e administratorit kërkoi që oficerët të komunikonin me të birin në telefon.

Sauli refuzoi të fliste dhe kërkoi që të përgatitej dokumentacioni i subjektit. Ai mbërriti në ambientet e përpunimit rreth një orë më vonë.

Përveçse pronar i biznesit, Renald Sauli mbante edhe funksionin e përgjegjësit teknik, çka e detyronte të ishte i pranishëm gjatë procesit të përpunimit të mishit.

Ai pranoi se mungesa e tij përbënte shkelje, por pretendoi se u kishte lënë porosi punonjësve. Sauli konfirmoi gjithashtu se biznesi furnizonte me mish jo vetëm Fierin dhe zonat përreth, por edhe Tiranën e qytete të tjera.

Skandali me AKU-në: Vetëm tre muaj më parë, gjithçka kishte rezultuar në rregull

Një nga detajet më shqetësuese të investigimit lidhet pikërisht me institucionin që ka për detyrë të garantojë sigurinë ushqimore të qytetarëve.

Sipas informacionit të siguruar nga Fiks Fare, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte kontrolluar subjektin në gusht të vitit 2026 dhe gjithçka kishte rezultuar në rregull.

Vetëm tre muaj më vonë, pamjet e filmuara nga gazetarët dokumentojnë kushte të rënda higjieno-sanitare, ndërsa ndërhyrja e Prokurorisë, Policisë dhe AKU-së përfundoi me bllokimin e rreth dy tonëve produkte mishi.

Çfarë kishte kontrolluar AKU-ja në gusht? Prej sa kohësh përpunohej mishi në këto kushte? Sa produkte kanë përfunduar në fast-food-et e vendit përpara zbulimit të skandalit? Dhe përse u desh sërish ndërhyrja e gazetarëve që institucionet përgjegjëse të viheshin në lëvizje?

Prokuroria regjistron procedimin penal për ushqime të rrezikshme për jetën

Prokuroria e Fierit ka konfirmuar regjistrimin e procedimit penal nr. 2171/2026 për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, grupi hetimor ka bllokuar afërsisht dy tonë produkte mishi në ambientet e subjektit.

Hetimet vijojnë, ndërsa analizat laboratorike pritet të përcaktojnë nëse mishi i bllokuar ishte i kalbur dhe përbënte rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Por përtej rezultateve të analizave, pamjet e dokumentuara dhe shkeljet e konstatuara ngrenë një problem që nuk mund të kufizohet vetëm te përgjegjësia e një biznesi.

Dy tonë mish ishin gati për t’u shpërndarë në fast-food-et e vendit. Një subjekt që furnizonte disa qytete kishte kaluar kontrollin e AKU-së vetëm tre muaj më parë. Denoncimi dhe investigimi televiziv ishin ato që sollën bllokimin e produkteve.

Përgjegjësia institucionale nuk mund të përfundojë me vendosjen e shiritave të bllokimit përpara kamerave. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë kanë konsumuar deri më sot, kush i ka kontrolluar këto produkte dhe përse mekanizmat shtetërorë të sigurisë ushqimore nuk i kanë zbuluar më herët këto shkelje.