Vlora në alarm nga moti i keq/ Anulohen tragetet, rrezik për përmbytje

Kushtet e rënduara atmosferike kanë detyruar anulimin e lundrimeve në linjën Vlorë–Brindisi përgjatë kësaj të enjteje, ndërsa reshjet e dendura që priten në orët në vijim rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje në qytet.
Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës njofton se era e fortë, me drejtim jug-juglindje dhe shpejtësi deri në 20 metra në sekondë, ka sjellë gjithashtu pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla detare dhe anijet e peshkimit.
Dallgët arrijnë deri në 2,5 metra lartësi, duke e bërë të pamundur lundrimin e sigurt të këtyre mjeteve. Për këtë arsye, Kapiteneria ka ndaluar daljen e tyre në det deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
Situata detare pritet të përmirësohet pas orës 22:00 të mbrëmjes së sotme.
Ndërkohë, megjithëse deri në orët e paradites era e fortë bregdetare duket se ka penguar reshjet e shiut në qytetin e Vlorës, parashikimet paralajmërojnë reshje me intensitet mesatar deri të lartë gjatë orëve në vijim.
Përkeqësimi i motit shton rrezikun e përmbytjeve në zonat urbane, ndërsa në zonat malore të rrethit të Vlorës ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe lumenjve.
Aktualisht nuk raportohen problematika në qytet, por situata pritet të rëndohet gjatë pasdites dhe mbrëmjes, kur reshjet mund të arrijnë intensitet të lartë.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të kufizojnë qarkullimin vetëm në rastet e domosdoshme apo emergjente.