Skip to content
Kryesore

U plagos në sy nga plumbi i gomës gjatë protestës, Erion Vishkulli dëshmon në Prokurori: “Kërkoj drejtësi”

· 2 min lexim
Erion Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome nga policia gjatë protestës në Tiranë, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e kryeqytetit, ku ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen. Pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale në Itali, ai është rikthyer në Shqipëri, ndërsa vijon kontrollet mjekësore.

Pas daljes nga Prokuroria, Vishkulli kërkoi drejtësi për plagosjen e tij dhe foli për gjendjen shëndetësore, e cila ende nuk i lejon të rikthehet plotësisht në aktivitetet e përditshme.

“Unë kërkoj drejtësi. Vetëm fitore, Shqipëria është e jona. Do të shoh si jam me gjendjen, unë këtu vijoj të bëj kontrollet. Aty isha për dy orë e pashë që nuk isha në gjendje”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do t’i bashkohet protestës së thirrur më 28 nëntor, Vishkulli tha se vendimi do të varet nga gjendja e tij shëndetësore.

I riu u plagos në sy gjatë protestës në kryeqytet, ndërsa dëmtimi bëri të nevojshëm trajtimin e specializuar dhe disa ndërhyrje kirurgjikale në Itali.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes. Menjëherë pas kthimit nga Italia, Vishkulli është njoftuar të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij.