Dosja e vrasjes së Arlindës/ Ish-vjehrra e pa tek goditej me sëpatë dhe nuk ndërhyri, ish-kunati e filmonte, ish-bashkëshorti nxiti krimin

E fotografonin, e filmonin dhe monitoronin çdo lëvizje të saj. Detaje tronditëse kanë dalë nga dosja hetimore për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Sipas Prokurorisë, ish-vjehrra e viktimës dyshohet se ishte e pranishme në momentin kur Arlinda u godit me sëpatë, por nuk ndërhyri për të ndaluar sulmin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër persona të dyshuar për përfshirje në krim. Mes tyre janë Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, ish-kunati i saj. Dy personat e tjerë, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi, dyshohet se ndihmuan autorin e vrasjes për t’iu fshehur autoriteteve.
Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për nxitje të vrasjes së rëndë.
E filmonin dhe monitoronin lëvizjet e saj
Sipas dosjes së Prokurorisë, Nurije Sylaj kishte nisur të fotografonte dhe regjistronte vazhdimisht lëvizjet e Arlindës, që prej momentit kur 49-vjeçarja ishte rikthyer në shtëpinë familjare, më 22 tetor.
Në telefonin e ish-vjehrrës, hetuesit kanë zbuluar një video të datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Pamjet dyshohet se ishin realizuar nga Driton Sylaj, i cili më pas ia kishte dërguar Nurijes përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se monitorimi i vazhdueshëm i viktimës ishte pjesë e një koordinimi paraprak për të siguruar informacione mbi vendndodhjen e saj dhe për të lehtësuar realizimin e planit kriminal.
E pa duke u goditur me sëpatë, por nuk ndërhyri
Një nga detajet më tronditëse të dosjes lidhet me rolin e ish-vjehrrës në momentin e krimit. Sipas Prokurorisë, Nurije Sylaj ndodhej në banesë kur Albert Sylaj sulmoi Arlindën me sëpatë, por nuk ndërmori asnjë veprim për ta ndaluar.
Madje, pas vrasjes, ajo dyshohet se ka dhënë një dëshmi që nuk përputhej me pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim fshehjen e rrethanave të vërteta të krimit.
Edhe Driton Sylaj ka kontribuar në përgatitjen e vrasjes, duke siguruar informacione për lëvizjet e viktimës. Pas kryerjes së krimit, Albert Sylaj e kishte njoftuar atë për ngjarjen.
Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Dy persona të tjerë ndihmuan autorin të fshihej
Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin, të cilët ndihmuan Albert Sylajn të shmangte arrestimin pas vrasjes së Arlindës.
Sipas dosjes hetimore, më 25 tetor, Pepaj transportoi Albert Sylajn drejt fshatit Bec, ndërsa Gëzim Bobi e strehoi në banesën e tij në Gjakovë.
Një ditë më vonë, më 26 tetor, Bobi e transportoi drejt fshatit Maznik, duke e ndihmuar të vazhdonte të fshihej nga autoritetet.
Kërcënime ndaj një dëshmitareje dhe një vajze të mitur
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu komunikime kërcënuese në telefonat e sekuestruar gjatë hetimeve. Mesazhet u drejtoheshin një dëshmitareje dhe një vajze të mitur.
Sipas Prokurorisë, përmbajtja e këtyre komunikimeve dëshmon për një klimë presioni dhe frikësimi ndaj personave që mund të ndihmonin në zbardhjen e vrasjes.
Në një prej mesazheve të përfshira në dosje, dërguesi përdorte gjuhë kërcënuese ndaj dy personave, duke iu referuar mundësisë që ata të tregonin informacione për ngjarjen.
Prokuroria vlerëson se nga komunikimet mes Nurije dhe Driton Sylajt rezulton se shqetësimi i tyre kryesor nuk ishte vrasja e Arlindës, por mundësia që të zbulohej përfshirja e tyre në krim.
Këto komunikime, së bashku me provat e tjera të administruara, pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rolit të secilit prej të dyshuarve në planifikimin dhe realizimin e vrasjes.
Organi i akuzës argumenton se, nëse lihen të lirë, të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët, t’i frikësojnë ata, të pengojnë hetimet apo të përsërisin vepra penale. Për këtë arsye, Prokuroria vlerëson se masat alternative nuk janë të mjaftueshme.
Arlinda kishte denoncuar rrezikun dhe kishte kërkuar mbrojtje
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Si autor i dyshuar i krimit është identifikuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Vrasja ka tronditur opinionin publik në Kosovë, veçanërisht për faktin se Arlinda kishte denoncuar më parë rrezikun që i kanosej dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Një muaj pas vrasjes së saj, dosja hetimore po nxjerr në pah dyshime për një krim të parapërgatitur, monitorimin sistematik të viktimës, bashkëpunimin mes disa personave dhe përpjekjet për fshehjen e së vërtetës.
Hetimet vijojnë, ndërsa përgjegjësia penale e secilit prej të dyshuarve mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.