Haga shpall vendimin për Thaçin dhe 4 të akuzuarit e tjerë: Katër dënohen, një shpallet i pafajshëm

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur vendimin për pesë të akuzuarit në çështjen e pengimit të drejtësisë, duke dënuar katër prej tyre dhe duke shpallur të pafajshëm një tjetër.
Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim, pasi u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në ushtrimin e detyrave të tyre, përmes veprimit të përbashkët.
Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim secili, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka marrë një muaj burgim me kusht. Dënimi i këtij të fundit nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Ndërkohë, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm. Gjyqtari Christopher Gosnell ka urdhëruar lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Vendimi vjen në një periudhë kur proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë kanë shkaktuar kundërshtime dhe protesta në Kosovë. Më herët, dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u pasuan nga mobilizime qytetare, me protestues që kërkuan drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Çështja e pengimit të drejtësisë është një proces i veçantë nga ai për krime lufte ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Vendimet e shpallura në këtë proces lidhen me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve dhe jo me veprimtarinë e UÇK-së si tërësi.