Skip to content
Kryesore

Pensionet në Shqipëri, vetëm 19% e mesatares së BE-së: 354 mijë të moshuar me 13.500 lekë

· 4 min lexim

Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për fuqinë blerëse të pensioneve, me një nivel që arrin vetëm 19% të mesatares së Bashkimit Europian. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se pensionistët shqiptarë kanë një fuqi blerëse dukshëm më të ulët se bashkëmoshatarët e tyre në rajon, ndërsa rritjet e pensioneve mbeten të kufizuara përballë kostos së jetesës.

Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte një fuqi blerëse të barasvlershme me 260 euro në BE. Krahasimi është bërë sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), i cili merr parasysh ndryshimet e çmimeve ndërmjet vendeve.

Diferenca me rajonin është e konsiderueshme. Kosova arrin në 272 PPS, ose 20% të mesatares europiane, Bosnja dhe Hercegovina në 42%, Serbia në 44% dhe Maqedonia e Veriut në 52%. Mali i Zi kryeson rajonin me 803 PPS, ekuivalente me 58% të mesatares së BE-së.

Kjo do të thotë se pensioni mesatar në Mal të Zi siguron një fuqi blerëse rreth tre herë më të lartë se pensioni mesatar në Shqipëri.

Edhe ritmi i afrimit me standardet europiane mbetet i ngadaltë. Gjatë vitit 2025, Shqipëria e ngushtoi diferencën me BE-në me vetëm 1,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan përmirësime përkatësisht me 11,6 dhe 7,8 pikë përqindjeje.

Sipas projeksioneve të Institutit të Vjenës, bazuar në skenarin e vitit 2025, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë do t’u duheshin mbi 100 vjet për të arritur nivelin mesatar europian të pensioneve. Për Malin e Zi kjo periudhë vlerësohet në 14 vjet, për Maqedoninë e Veriut në 23 dhe për Bosnjën e Hercegovinën në 40 vjet.

Një nga problemet kryesore të sistemit shqiptar është rritja e numrit të pensioneve të pjesshme. Në vitin 2025, ato përbënin 55,2% të pensioneve të pleqërisë, nga 52,1% një vit më parë. Rreth 354 mijë pensionistë të kësaj kategorie përfitonin mesatarisht vetëm 13.500 lekë në muaj.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se personat që dolën rishtazi në pension kishin mesatarisht 24,5 vite sigurimi, rreth 14 vite më pak se periudha e plotë e kërkuar prej 38 vitesh e 8 muajsh.

Informaliteti në tregun e punës është një tjetër faktor që ndikon drejtpërdrejt në nivelin e pensioneve. Sipas INSTAT-it, 21,8% e punësimit në biznese ishte informal gjatë vitit 2025, ndërsa Banka Botërore e ka identifikuar nëndeklarimin e pagave si një problem të përhapur.

Mungesa e sigurimeve shoqërore ul vitet e njohura të punës, ndërsa deklarimi i pagave më të ulëta zvogëlon pensionin që përfiton punonjësi pas përfundimit të karrierës.

Pabarazia është e dukshme edhe brenda vendit. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në skemën urbane ishte 20.123 lekë, ndërsa në skemën rurale vetëm 12.313 lekë. Ndërkohë, pensionet e reja të zakonshme u lidhën me një mesatare prej rreth 16.500 lekësh në muaj.

Indeksimi prej 2,5% në tetor 2025 solli një shtesë prej vetëm 500 lekësh në muaj për një pension prej 20 mijë lekësh, një rritje që nuk ndryshon ndjeshëm nivelin e të ardhurave të pensionistëve.

Problemet shtrihen edhe te financimi i skemës. Në vitin 2025, për çdo pension kishte mesatarisht vetëm 1,18 kontribuues, ndërsa subvencioni nga buxheti i shtetit për skemën e detyrueshme arriti në 10,2 miliardë lekë.

Banka Botërore vlerëson se vetëm 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon në sistemin e pensioneve. Ndërkohë, plakja e popullsisë rrit presionin financiar mbi një skemë që mbështetet te kontributet e punonjësve aktualë për të paguar pensionet.

Të dhënat nxjerrin në pah një problem të dyfishtë për Shqipërinë: pensione me fuqi blerëse shumë më të ulët se në vendet e tjera të rajonit dhe një sistem financimi që përballet me informalitetin, numrin e kufizuar të kontribuuesve dhe plakjen e popullsisë.