Skip to content
Kryesore

Vrasja e Ardian Nikulajt/ Ruben Saraiva kërkon rrëzimin e burgimit të përjetshëm në Apel: Provat nuk vërtetojnë fajësinë

· 4 min lexim

Ruben Saraiva, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lezhës në Apel. Përmes avokatit të tij, shtetasi portugez kërkon shfuqizimin e dënimit, duke pretenduar shkelje procedurale gjatë procesit gjyqësor dhe mungesë provash që e identifikojnë si autorin e vrasjes.

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit, mbrojtja argumentoi se Saraivës nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes në gjuhën e tij amtare. Sipas avokatit, marrja në pyetje si person nën hetim, komunikimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim janë kryer në anglisht, ndonëse i pandehuri nuk e zotëron këtë gjuhë në nivelin e nevojshëm për të kuptuar plotësisht procedurat.

Mbrojtja pretendon se mungesa e përkthimit në portugalisht ka cenuar të drejtën e Saraivës për një proces të rregullt ligjor.

“Është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën amtare të tij. Provat e administruara nuk krijojnë një bindje se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi”, deklaroi mbrojtësi.

Një tjetër argument i paraqitur në Apel lidhet me identifikimin e autorit të vrasjes. Avokati theksoi se dëshmitë e administruara gjatë hetimeve nuk e identifikojnë drejtpërdrejt Saraivën si personin që qëlloi Ardian Nikulajn.

Sipas mbrojtjes, përshkrimi fizik i personit që kishte blerë motorin e përdorur në krim nuk përputhet me karakteristikat e të dënuarit.

Avokati kundërshtoi gjithashtu administrimin e provës së ADN-së, duke pretenduar se analiza është kryer me kërkesë të autoriteteve marokene, pa i dhënë mbrojtjes mundësinë ta kontrollojë atë.

Ai argumentoi se nuk është kryer një analizë krahasuese me një kampion të marrë në Shqipëri dhe se ADN-ja e Saraivës nuk është identifikuar në objekte apo prova të lidhura drejtpërdrejt me ekzekutimin.

Mbrojtja kundërshtoi edhe përdorimin e marrëdhënies së Saraivës me Edmond Haxhinë si element për të mbështetur akuzën, duke theksuar se njohja mes tyre dhe vizitat në banesën e Haxhisë nuk provojnë përfshirjen në vrasje.

“Ruben Saraiva është mik i Edmond Haxhisë, por miqësia nuk është provë për fajësinë”, u shpreh ai.

Sipas avokatit, gjatë gjykimit në shkallën e parë nuk është dëgjuar dëshmitarja kryesore, ndërsa ekzistojnë mospërputhje mes përshkrimeve të dëshmitarëve për autorin dhe gjatësisë fizike të Saraivës.

Pas parashtrimit të argumenteve të mbrojtjes, para trupës gjykuese foli edhe vetë Ruben Saraiva, i cili kërkoi një shqyrtim transparent dhe të paanshëm të çështjes.

Ai deklaroi se kishte pritur të merrte të gjitha aktet e dosjes në një gjuhë që kupton, jo vetëm vendimin gjyqësor. Saraiva ngriti gjithashtu shqetësime për cilësinë e përkthimit gjatë seancave në Gjykatën e Lezhës, duke pretenduar se përkthyesi nuk arrinte gjithmonë të përcillte të gjitha pyetjet dhe komunikimet në sallë.

Për këtë arsye, ai kërkoi që diskutimet gjatë procesit të zhvillohen më ngadalë dhe t’i vihen në dispozicion transkriptet e seancave të mëparshme.

“Tani që jemi në Apel, shpresoj të jeni neutralë dhe të drejtë. Është shumë e qartë se, përveç medias dhe gjatë procedimit penal, unë jam përcaktuar si person i fajshëm”, deklaroi Saraiva.

Ruben Saraiva u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua në prill të vitit 2023 në Shëngjin.

Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë argumentet e mbrojtjes lidhur me vlefshmërinë e provave, respektimin e të drejtave procedurale të të pandehurit dhe ligjshmërinë e vendimit të shkallës së parë. Saraiva kërkon rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm.