Mashtrimi me 50 mln euro nga call center-at e Amant Josifit, GJKKO nxjerr nga burgu Merxhan Çelikun

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë për Merxhan Çelikun, i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal të përfshirë në një skemë ndërkombëtare mashtrimi përmes call center-ave, me një dëm të përllogaritur në dhjetëra milionë euro.
Vendimi është marrë më 9 nëntor 2026 nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka pranuar kërkesën e të pandehurit për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me “Arrest në shtëpi”, duke ndryshuar masën e vendosur fillimisht në nëntor 2022.
Sipas vendimit, Çeliku nuk lejohet të largohet nga banesa e tij. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, nëse ndaj tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi që kërkon mbajtjen në qeli.
Merxhan Çeliku, 32 vjeç, u arrestua në vitin 2024, pas dy vitesh në arrati, falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare, Interpolit dhe autoriteteve të Abu Dhabit. Pas arrestimit, ai u ekstradua në Shqipëri për t’u përballur me akuzat.
Hetimet për skemën ndërkombëtare të mashtrimit nisën të konkretizoheshin në nëntor 2022, gjatë një operacioni të përbashkët të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle, në bashkëpunim me SPAK.
Operacioni zbuloi një rrjet prej 15 call center-ash, nga të cilët gjashtë funksiononin në Shqipëri, ndërsa të tjerët në Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas hetimeve, punonjësit e këtyre qendrave kontaktonin qytetarë, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, duke u prezantuar si ndërmjetës financiarë. Ata i bindnin viktimat të investonin shuma fillimisht të vogla në kriptovaluta, me premtimin se do të siguronin fitime të jashtëzakonshme.
Në të vërtetë, paratë e investuara dyshohet se përvetësoheshin nga grupi kriminal, ndërsa qytetarët humbnin kursimet e tyre.
Numri i viktimave përllogaritet në mijëra persona nga vende të ndryshme të botës, ndërsa dëmi ekonomik i skemës vlerësohet në rreth 50 milionë euro për çdo tremujor.
Pas arrestimit ndërkombëtar dhe ekstradimit në Shqipëri, Çeliku tashmë do të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa procedimi penal ndaj tij vijon. Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë ose pafajësinë e tij.