Skip to content
Kryesore

“Rama urdhëroi të më fusnin në burg tamam dhe më kërcënoi me akuza të reja”/ Veliaj kërkon hetim të KM nga GJKKO

· 3 min lexim

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të burgosur të Tiranës, Erion Veliaj, merr një tjetër kthesë të fortë. Veliaj akuzon drejtpërdrejt Ramën se ka urdhëruar personalisht transferimin e tij në burgun e Fierit dhe se ka ndërhyrë për ta kërcënuar me akuza të reja penale, përfshirë atë të prishjes së rendit kushtetues.

Akuzat nuk mbeten më vetëm në deklarata publike. Kryebashkiaku i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar hetim të plotë, të thelluar dhe të paanshëm për urdhrin e pretenduar të kryeministrit dhe ndërhyrjen e mundshme në procesin penal ndaj tij.

Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore dhe përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca.

Në letrën drejtuar gjykatëses, ai pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka konfirmuar personalisht, të premten pranë mesnatës, se transferimi nga Durrësi në Fier është bërë me urdhër të Edi Ramës.

Por akuza më e rëndë shkon përtej transferimit. Veliaj pretendon se Rama i ka përcjellë edhe një kërcënim për shtimin e akuzave penale, duke përfshirë prokurorët në një presion të dyshuar politik ndaj tij.

Në letrën e tij, kryebashkiaku shkruan:

Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi pa m’u treguar urdhri sekret pse po largohem, ku po shkoj dhe si justifikohet largimi me 100 km të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me 2 të mitur, e nënën pensioniste, dhe nga Bashkia e Tiranës që drejtoj.

Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë Z. Gogu ma bëri të qartë se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; që të bëj burg tamam dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bënin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve.

Kjo përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nesta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si urdhëri i Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave.

Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë në integritetin tuaj.

Ju falenderoj,

Erion Veliaj

Nga transferimi në burg te akuzat për presion politik dhe ndërhyrje në drejtësi

Përplasja shpërtheu pas transferimit të Veliajt, në fund të tetorit, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Një ditë më parë, kryebashkiaku kishte akuzuar Ramën se, përmes ministrit Gogu, i kishte kërkuar të pranonte përfshirjen në protestat e studentëve dhe të grupimit “Flamingot”, të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të mos këshillohej më me avokatin Plarent Ndreca.

Tashmë, Veliaj e ka zhvendosur përplasjen në gjykatë, duke kërkuar hetimin e veprimeve që ia atribuon drejtpërdrejt kreut të qeverisë.