Skip to content
Kryesore

Vrasja e Arlinda Zekajt/ Shoqja ngre akuza të rënda: Ish-vjehrra ishte e pranishme me fëmijët gjatë krimit dhe nuk ndërhyri, kërkon hetimin e saj

· 3 min lexim

Detaje dhe pretendime të rënda dalin në dritë pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Kosovë. Shoqja e saj, Ana Zhubi, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka reaguar publikisht duke kërkuar që hetimet të shtrihen edhe te ish-vjehrra e viktimës.

Përmes një postimi në Facebook, Zhubi ka ngritur dyshime serioze mbi dhunën psikologjike që pretendon se Arlinda kishte përjetuar, si dhe mbi rrethanat e ngjarjes tragjike.

Pretendimi më tronditës lidhet me praninë e mundshme të ish-vjehrrës në vendin ku ndodhi vrasja. Sipas Zhubit, ajo dyshohet se ka qenë e pranishme së bashku me fëmijët, ndërsa ngre pikëpyetje se përse nuk ka ndërhyrë për të parandaluar tragjedinë.

Në reagimin e saj, Zhubi rrëfen edhe përvojën personale të dhunës psikologjike që thotë se ka përjetuar për 16 vite gjatë martesës së parë. Ajo përshkruan ofendime, përbuzje dhe përzënie nga banesa, ndërsa kujton një episod kur ish-bashkëshorti e kishte kapur për fyti dhe nëna e tij, në vend që ta mbronte, kishte përdorur fjalë poshtëruese ndaj saj.

Duke e lidhur këtë përvojë me tragjedinë e Arlindës, Zhubi kërkon që Policia e Kosovës të hetojë edhe rolin e mundshëm të ish-vjehrrës, përfshirë pretendimet për dhunë psikologjike dhe bashkëpunim të mundshëm.


Arlinda kërkoi mbrojtje deri në orët e fundit të jetës

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen me sëpatë është ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan.

Tragjedia ndodhi pasi Arlinda kishte denoncuar vazhdimisht dhunën dhe kërcënimet, ndërsa ishte përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e djalit dhe pronën e përbashkët.

Vetëm pak orë para vrasjes, ajo kishte kërkuar sërish ndihmën e policisë. Pavarësisht frikës për sigurinë e saj, kishte këmbëngulur të kthehej në banesë dhe të mos hiqte dorë nga të drejtat e saj.

“Nuk e ndi veten të sigurt sa duhet por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime”, kishte deklaruar Arlinda në polici.

Pak minuta pasi u kthye në shtëpi e shoqëruar nga policia, ajo u vra.

Dy prokurore të pezulluara pas publikimit të përgjimeve

Rasti ka shkaktuar reagime të forta edhe për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimet e viktimës.

Tre ditë para vrasjes, Arlinda i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke paralajmëruar rrezikun për jetën.

Pas publikimit të regjistrimeve audio dhe dokumenteve që nxorën në pah kërcënimet dhe komunikimet e saj me policinë, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi pezullimin e kryeprokurores Vuçetaj dhe prokurores së çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferi, si dhe nisjen e procedurave hetimore ndaj tyre.

Thirrja e Ana Zhubit hap tashmë një tjetër çështje që kërkon sqarim: A ka pasur persona të tjerë që kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj Arlindës ose kanë qenë dëshmitarë të vrasjes pa ndërhyrë?

Prania dhe përgjegjësia e mundshme e ish-vjehrrës nuk janë konfirmuar nga organet hetimore. Megjithatë, pretendimet e ngritura publikisht kërkojnë verifikim, ndërsa hetimet duhet të përcaktojnë përgjegjësinë individuale të çdo personi të përfshirë.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga shteti deri në ditën e fundit të jetës. Tashmë, përveç zbardhjes së vrasjes, drejtësia përballet edhe me pyetjen se përse paralajmërimet e saj nuk arritën ta parandalonin tragjedinë.