Skip to content
Kryesore

Policia qëlloi në sy 28-vjeçarin, Rama fajëson mediat dhe mbron dhunën policore: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit

· 4 min lexim

Edi Rama ka reaguar për plagosjen e rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u qëllua me plumb gome në syrin e majtë nga policia gjatë protestës në Tiranë. Por në vend që të kërkojë përgjegjësi për dhunën e ushtruar nga efektivët, Rama ka zgjedhur të fajësojë mediat dhe protestuesit, duke e zhvendosur vëmendjen nga autorët e goditjes.

Edhe përballë një të riu që rrezikon shikimin, kryeministri nuk gjen asnjë përgjegjësi te policia që drejton qeveria e tij. Përkundrazi, përpiqet ta justifikojë plagosjen përmes argumentit se pjesëmarrja në protesta të dhunshme është e rrezikshme, sikur kjo t’i jepte policisë të drejtën të qëllonte qytetarët në fytyrë.

Vetë Vishkulli ka deklaruar se ishte duke u larguar nga protesta, rreth 30 metra larg policëve, kur u godit në sy. Ai vazhdon të ketë plumbin e gomës brenda syrit dhe të përjetojë dhimbje të forta.

Megjithatë, Rama nuk jep asnjë shpjegim se përse policia qëlloi drejt tij, kush ishte efektivi përgjegjës dhe çfarë masash janë marrë ndaj tij. Në vend të përgjigjeve, kryeministri sulmon mediat që publikojnë plagosjen, duke i akuzuar se po e përdorin rastin për të nxitur dhunë.

Ironia është e rëndë: policia e paguar me taksat e qytetarëve qëllon një të ri në sy, ndërsa kryeministri akuzon ata që tregojnë publikisht çfarë ka ndodhur. Për Ramën, problemi nuk duket të jetë plumbi që goditi 28-vjeçarin, por fakti që pamjet dhe dëshmia e tij janë bërë publike.

I njëjti kryeministër që premtoi shpërblim prej 2500 eurosh për efektivët e policisë dhe paralajmëroi gjoba deri në 5 milionë lekë për qytetarët në protesta, tani përpiqet të paraqesë si përgjegjës për plagosjen e një protestuesi ata që denoncojnë dhunën policore.

Rama njofton gjithashtu se është angazhuar personalisht për kurimin e Vishkullit në Itali dhe transportimin e tij me avion mjekësor charter. Por sigurimi i trajtimit mjekësor nuk e zëvendëson përgjegjësinë për plagosjen. Një qeveri nuk mund ta paraqesë si meritë kujdesin për një qytetar të plagosur nga policia e saj, ndërkohë që shmang llogaridhënien për atë që e qëlloi.

Akoma më shqetësues është fakti se kryeministri vijon t’i trajtojë protestuesit si armiq, duke përdorur etiketime fyese dhe akuza për dhunë, kriminalitet e manipulim, ndërsa nuk jep përgjigje për rastet konkrete të dhunës policore.

Në një shtet ligjor, përgjegjësia për plagosjen e një qytetari nuk përcaktohet nga statuset e kryeministrit. Ajo kërkon hetim, identifikimin e autorit dhe verifikimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës.

Mediat nuk ia mbyllën dritën e syrit Erjon Vishkullit. Ai u godit nga një plumb gome i policisë. Dhe asnjë sulm ndaj gazetarëve, asnjë etiketim i protestuesve dhe asnjë premtim për kurim jashtë vendit nuk e ndryshon këtë fakt.

Postimi i plotë i Ramës:

Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje. Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur. Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë! Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni