Kati i fundit i një banese tre katëshe në fshatin Zallë të Fushë-Krujës u shkrumbua tërësisht nga zjarri, mëngjesin e sotëm.
Si pasojë e flakëve, 4 fëmijë mbetën të asfiksuar, duke rrezikuar seriozisht jetën.
Ai që ka shmangur tragjedinë ka qenë një banor i zonës, i cili hyri mes flakëve, duke thyer derën e duke nxjerrë jashtë fëmijët e pavetëdijshëm, shkruan “Balkanweb”.
Më tej banori shton se njerëzit nuk dilnin dhe është detyruar t’i nxjerrë me shkelma.
“Rreth orës 7:00 shikoja njerëzit që po shikonin lart në katin e tretë dhe u bëra kurioz. Kur dal jashtë dhe shikoj tym. Ngjitem në katin e tretë dhe shikoj 4 fëmijë shtrirë, ishin asfiksuar. Theva derën dhe i nxora. Të flas është diçka e kotë sepse mua më janë dëmtuar tre hyrje. Realitetin se sa shpejt kanë ardhur dhe sa shpejt po e fikin, urdhëro ja ku e ke vetë realitetin. Nuk dilnin as njerëzit, i kam nxjerrë me shkelma”, u shpreh ai.
Ndërkohë një prej banorëve, të cilit iu dogj shtëpia, i ka bërë apel për ndihmë shtetit.
Atij i është djegur totalisht shtëpia dhe nuk ka ku të çojë gruan me tre fëmijët.
“Kur isha duke punuar më lajmëruan se është djegur shtëpia. Kur erdha unë ishte shkrumbuar komplet kati i tretë. Nuk ka asgjë brenda, ka rënë komplet tavani në tokë, janë djegur të gjitha në katin e tretë. I lutem shtetit të na ndihmojë, kush të ketë mundësi të na ndihmojë sepse ne nuk kemi ku të shkojmë. Unë jam vet i pesti, kam tre fëmijë, gruan. Kanë qenë fëmijët në momentin e zjarrit, kanë dalë jashtë, më kanë lajmëruar në telefon. Mendoj se ka qenë një shkëndijë elektrike”, tha banori.